Sali Berisha ka folur sot në Kuvend ku ka hedhur akuza të forta duke thënë se Rama dhe peng Basha kanë vendosur në krye të AMA-s njerëzit e tyre më të besuar.
Sipas Berishës në këtë institucion duhet të kishte drejtues të pavarur.
“Si asnjëherë në ekzistencën e këtij institiucioni Edi Rama dhe mjerisht peng Basha emëruan kryetar dhe zv.kryetar njerëzit më të besuar të tyre. Në vend që ai institucion të drejtohej nga përfaqësues relativisht të pavarur dhe gjysmë të pavarur të mediave, është e kotë të diskutosh se kurrë ndonjëherë nuk ka pasur këtë shkallë ekstreme politizimi megjithë kërkesën, insistimet e mediave, e institicioneve ndërkombëtare që ky institicion të jetë i balancuar, të jetë më i pavarur, më i paanshëm. Nuk ia vlen ti kushtosh as edhe një minutë më shumë institicionit që AMA-s, por do ndalem këtu në gjendjen dramatike që ekziston për mediat dhe fjalën e lirë në Shqipëri”, tha Berisha.
Sipas tij “janë të zakonshme aktet banditeske të qeveritarëve ndaj mediave të lira. Janë të zakonshme sulmet agresive, staliniste të qeveritarëve ndaj mediave që shkruajnë kundër tyre. Dy janë armiqtë më kryesorë të fjalës së lirë në Shqipëri, njëri quhet Edi Rama, i cili përveç sjelljes së dhunshme verbale, përveç fyerjeve, ndëshkimeve absurde të gazetarëve për shkak të pyetjeve që i bëjnë, krijoi edhe agjencinë e disinformimit i frymëzuar nga regjimet autokratike, përgati ligjet për të dënuar të gjitha portalet që nuk i nënshtrohen atij. Ndërmerr sanksione dhe ushtron presion mbi organet e mediave në rast se linjat editorale të tyre nuk përputhen me qeverinë”.