Kryetari i PD, Sali Berisha në mbledhjen e Kryesisë së PD hodhi akuza drejt kryeministrit Rama, duke thënë se pagoi një vrasës për të shkatërruar opozitën.
Gjatë fjalës së tij në mbledhje, Berisha tha se Rama nuk largohet me votë të lirë, por vetëm me revolucion.
“McGonigal, që vazhdon të jetë kryefjalë e medieve botërore, është në burg, kurse porositësi i vrasjes me pagesë të opozitës shqiptare, është në pushtet.
Cilido që mendon se ky porositës i krimit më të shëmtuar ndaj demokracisë dhe pluralizmit, asgjësimit të pluralizmit de facto, largohet me votën e lirë, gabon. Është iluziv, gënjen veten. Kjo është e vërteta. Ky porositës i vrasjes së opozitës largohet vetëm me revolucion.
Sepse, Shqipëria, një vend anëtar i NATO-s, ka degraduar në shkallën më ekstreme. Në Europë është narkoshteti i parë dhe i vetëm. Do të thotë se vendos mafia e drogës.
Shqipëria është vendi i qytetarëve, që vidhen në mënyrën më monstruoze. 4.5 milionë euro po ndërtohet autostrada Kakavijë-Janinë, 22 milionë euro po ndërtohet autostrada Limuth-Rrogozhinë. A munden shqiptarët të pranojnë një gjë të tillë? Marrim vetëm këto krahasime. Kurse rrugët anësore të autostradës Lekaj-Tepelenë shkojnë 7.1 milionë dollarë për kilometër. 320 milionë së bashku”, tha Berisha.