Ish-kryeministri Sali Berisha, në një komunikim virtual me demokratët e Londrës u shpreh se vendi është i zhytur në korrupsion dhe kjo për shkak të keqqeverisjes nga kryeministri Edi Rama.
Ai denoncoi rastet e korrupsionit në vend dhe tha se Rama blen për oborrin e zyrave të tij, vazo druri plot 4 mln euro, si një despot i vërtetë, që nuk njeh ligje.
Pjesë nga fjala e Berishës: “Edi Rama e kryeson vetë këtë kupolë hajdutësh që po shkreton dhe varfëron çdo ditë shqiptarët.
Po ndalem në disa shembuj. Porti i Durrësit është një aferë e cila në total shkon rreth 5 miliardë euro. Edi Rama ka gjetur një miliarder në Dubai dhe do të ndjekë shembullin e tij për tu bërë edhe vetë miliarder. Jashtë çdo procedure dhe ligji i ka dhënë atij portin e Durrësit me 820 mijë metra katror truall, për të ndërtuar gradacelën e tij, tokë publike e cila është pronë e Durrësit dhe Shqipërisë.
Rastet janë të pafundme. Vetë bën një jetë sheiku. Me 137 fluturime me çarter me dhomë gjumi luksoze, ka shpenzuar mbi 22 mln euro. Blen për oborrin e zyrave të tij, vazo druri plot 4 mln euro, sillet si një despot i vërtetë, që nuk njeh ligj nuk njeh asnjë normë standard.”