Kreu i PD, Sali Berisha nga podiumi i protestës ka akuzuar kryeministrin Edi Ramën se ka vjedhur shuma parash mbi supet e shqiptarëve.
“Edi Rama me firmat që ke vendosur për djegësat që shkojnë në 420 mln euro, me Agaçin e Ahmetajn, përvetësuat deri tani 120 mln euro. Këto ditë doli se nga 60 mln euro të dhëna për djegësin e Tiranës, s’është ndërtuar asgjë. Paratë janë fshehur në konto pensionistësh që nuk dinë asgjë se ekzistonin ato”, tha ai.
Deklarata e plotë:
Nuk do doja kurrë nga kjo platformë të flisja për hajdutë dhe vjedhës, mirëpo, më thuaj pak zotërote, çfarë të të them kur sarajet e Surrelit, pallatin në pajë i ke ndërtuar kur kishe të deklaruara 4 mijë euro, nga të ranë ato para? Nga qielli? Njëherë para emigracioni, e njëherë the para nga familja, Edi Rama çdo qindarkë e tyre është hajni. Ndërtuesi i tyre para një muaji fitoi tenderin i vetëm në garë me 99.9 për qind të vlerës, 11 mln euro por këto zotërote janë vetëm kafetë, sepse ti me firmat e tua nuk i ke gjë 10-shet.
Edi Rama me firmat që ke vendosur për djegësat që shkojnë në 420 mln euro, me Agaçin e Ahmetajn, përvetësuat deri tani 120 mln euro. Këto ditë doli se nga 60 mln euro të dhëna për djegësin e Tiranës, s’është ndërtuar asgjë. Paratë janë fshehur në konto pensionistësh që nuk dinë asgjë se ekzistonin ato.
Skandali i djegësave është më i madh, por po kaq të mëdha janë paratë e transferuara nga ndërtimi, të vjedhura nga ndërtimi i rrugëve.
I thuaj shqiptarëve si ka mundësi, 7 km në autostradën Ibë-Farkë kanë kushtuar sa 10 km tuneli i Krrabës dhe 20 km autostradë Krrabë-Elbasan. 30 mln euro kilometri, dyfish i kilometrit në tunel. Ku i çuat paratë? Si i vodhët ato? Janë të pafundme rastet.