Sali Berisha prezantoi sot kandidatin e koalicionit “ Bashkë Fitojmë” për Dropullin, Thanas Maneka. Berisha vlerësoi kandidatin e opozitës, duke shprehur besimin për fitoren e tij me 14 maj.Ish-kryeministri përpos ngritjes së problematikave, që ka Dropulli dhe Shqipëria në përgjithësi, u ndal dhe te veprimet e kryeministrit Rama, për të cilin thotë se qëllimin kryesor ka denigrimin e opozitës, me çfarëdo lloj mënyre.
Berisha: Shqipëria, veçanërisht fshati dhe zona rurale, u përballën në këto 10 vite me një injorim absolutisht total, ndërkohë që kanë potenciale shumë të mëdha. Ndërkohë, kur ato kanë potenciale shumë të mëdha. Ne kishim një filozofi tjetër, filozofia jonë ishte dhe do jetë, çdo fshat me infrastrukturë: çdo fshat me infrastrukturë të njëjtë me lagjet e qytetit. Me këtë motiv ne asfaltuam në fshatrat e vendit dhe zonat rurale 8300 kilometra, na mbetën pa afaltuar të paktën edhe 3000 ose 3500 kilometra. Këta që erdhën, në vend që të vazhdonin, se ku çon rrugën, çon shpresën, zhvillimin, tregun, ka gjithë ato aspekte. Këta u ndaluan dhe u gozhduan duke shtruar pllaka guri në qendrat e qyteteve, me qëllimin më madhor që të vjedhin.
Ne kemi qenë një komb i varfër, por ne ia dolëm mrekullisht në vitin 2008, të ngjitemi nga kombi i tretë më i varfër në planet në vitin 1992, me 204 dollarë për frymë në vit, në 2008-ën ne kaluam në grupin e kombeve me të ardhura të mesme të larta. Ky është hovi më i fuqishëm që ne kemi shënuar në histori.
A e keni vënë re ju çfarë po bën në këtë fushatë? Në këtë fushatë del me lopatë, që nuk e ka kapur kurrë me dorë, e ka për herë të parë, hap ndonjë gropë, dhe dy tri gjëra bën. Shan opozitën nga fillimi në fund, se atë kulturë ka, përdor fjalor banal dhe të turpshëm që kurrë një njeri i civilizuar nuk ia lejon vetes. I them që nuk ndryshon dot, dihet kush je.