Ndonëse jo fizikisht në sallë, Sali Berisha u kthye në “mollën e sherrit” mes mazhorancës dhe opozitës në kuvend.
Shkak për kaosin dhe tensionet gjatë seancës plenare u bë mospranimi i kërkesës së Gazment Bardhit drejtuar kuvendit për të rikthyer në grupin parlamentar të Partisë Demokratike ish-Kryeministrin Berisha.
E teksa kjo kërkesë nuk u pranua nga kryetarja e Kuvendit, krejt e kundërta ndodhi me atë për largimin e njerëzve të Lulzim Bashës nga disa prej strukturave parlamentare dhe zëvendësimin e tyre me deputetë grupimit Berisha-Bardhi.
“Kur lexon njoftimet e grupit lexoi deri në fund, jo një pikë jo një po”, tha Gazment Bardhi.
“Në shkresë ka një person që është përjashtuar nga grupi me vendim të PD, e duhet të futet po me vendim të PD”, u kundërpërgjigj Lindita Nikolla.
Ky qëndrim i kryeparlamentares Nikolla u cilësua antikushtetues nga demokratët.
“Veprimi për të lënë jashtë grupit kreun e PD, është veprim i qëllimshëm, për të bllokuar opozitën në kryerjen e detyrës së saj. S’ka asnjë dispozitë që të përjashtojë deputetët. Nuk keni tagër që ju ta bëni këtë. Zoti Sali Berisha duhet të jetë pjesë e grupit, pasi veprimi juaj bëhet palë me antikushtetutën”, deklaroi deputeti i PD Oerd Bylykbashi.
Përplasjet verbale u pasuan nga bllokimi i foltores që i kushtoi jo vetëm përjashtimin nga seanca demokratit Flamur Noka.
“S’më trysnon, je përfaqësuesi i një non-grate. Turp t’ju vijë për fjalorin tuaj”, tha kryeparlamentarja Lindita Nikolla.
“Të vini këtu të bllokoni foltoren, të fyeni. Me të parën tërhiqet vëmendja, tërhiqet dhe njëherë më pas nxirren jashtë kësaj salle, ose kalojmë në votim e mbyllim këtë seancë derisa këta të mësojnë të sillen dhe të vijnë në seancë”, u shpreh ministrja Elisa Spiropali.
“Kërcënon kryetaren e kuvendit. Trup të kesh. Je dhe burrë malësor ti. 5 minuta pushim! Je i përjashtuar nga seanca”, vijoi kryeparlamentarja Nikolla duke iu drejtuar Flamur Nokës.
Tre ndërprerje njëra pas tjetrës nuk sollën dot qetësi në sallë. Rinisja e punimeve ndezi edhe më tej debatet mes palëve.
Kësaj rradhe shkak u bë rrëzimi i kërkesës së demokratëve për zhvillimin e një mocioni me debat për krimin e organizuar pas publikimit të emisionit investigativ “Report” në Rai 3.
“Ajo që Nikolla bëri me mocionin nuk është thjeshtë një shkelje Kushtetuese, shkelje e Rregullores, por një filozofi që e ka shpallur luftën ndaj krimit të organizuar jashtë fushës së veprimtarisë së Këshillit të Ministrave. Argumenti i dytë thotë ke cënuar integritetin e kryeministrit, nuk e kam përmendur kurrë kryeministrin”, tha kreu i grupit të PD Gazment Bardhi.
Me foton e Edi Ramës në dorë nga foltorja e Kuvendit, Bardhi shkoi edhe më tej në akuza, kur foli për ndërlidhës të Kryeministrit me krimin.
“Nuk jeni ju që thoni në kafe që Ergys Agasi është koordinatori i Ramës me krimin e organizuar? Nisi ta testojë në Durrës, e çoi më tej në të gjithë Shqipërinë. Më tej pasi krijoi të gjitha fijet, njeriun e Agasit e emëroi drejtues të Shërbimit Informativ Shtetëror. Sot SHISH është në shërbim të krimit”.
Pas rrëzimit të kërkesës së opozitës për mocion me debat, Kuvendi i’u rikthye normalitetit, ku në rend të ditës është përfshirë edhe ngritja e dy komisioneve; atij “Antikorrupsion” dhe “Dezinformimin”, të cilat opozita i cilëson fasadë të Kryeministrit Rama, duke refuzuar pjesëmarrjen në to.