Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se Ervin Salianji u dënua për guximin e tij në demaskimin e klanit më të rrezikshëm të drogës. Gjatë protestës në “Rrugën e Shpresës”, Berisha tha se dënimi është një goditje ndaj opozitës, duke theksuar se krimi po triumfon mbi ligjin.
Ai përmendi raste të kaluara, si ato të komisarit Zagani dhe Durim Bamës, për të argumentuar se Salianji po ndëshkohet për denoncimet e tij të vërteta, ndërsa kallëzimet e rreme mbeten pa ndëshkime. Berisha theksoi se ky dënim shpreh përpjekjen e Edi Ramës për të mobilizuar krimin kundër opozitës dhe për të penguar qëndresën e saj.
Berisha: Miqtë e mi, komisar Zagani u burgos kur denoncoi Habilajt se me makinën e Saimir Tahirit bënin trafikun e drogës.
Ndërkohë u faktua nga autoritetet italiane se ajo makinë jo vetëm u përdor, por u dha me qira për trafik droge.
Por, ju lutem, rikujtoni pak, Durim Bami, miku i Edi Ramës, deponoi se ishte paguar nga Ilir Meta për të eliminuar Tom Doshin.
Dhe ky u faktua me gjithë angazhimin e famëziut McGonigal se ishte një kallëzim i rremë.
Ky kallëzim i rremë nuk mori asnjë ndëshkim.
Kallëzimi i vërtetë i Ervin Salianjit mori një vit burg.
Miq, dënimi i sotëm është goditja e radhës që kreu i narkoshtetit shqiptar i bën opozitës shqiptare.
Është goditja e radhës që krimi i jep antikrimit.
Është goditja e radhës me të cilën Edi Rama dëshmon se kësaj here, për mandatin e tij të katërt, ai nuk do mobilizojë vetëm bandat, qindra milionë euro patronazhistët, por kësaj here do të burgosë opozitën, do persekutojë opozitën.
Atë mandat kërkon ta marrë me çdo kusht.
Të dashur miq, ky akt kriminal i dënimit të një deputeti që në emër të misionit të tij para zgjedhësve shqiptarë, në emër të betimit të tij para Kushtetutës së këtij vendi, në emër të opozitarizmit të vërtetë, guxoi të demaskojë dhe denoncojë klanin më të rrezikshëm të drogës, atë të ministrit të Brendshëm.
Nuk është pra një dënim ndaj një njeriu, nuk është pra këtu çështja e një individi, as edhe e një deputeti.
Jo, jo, është çështja e opozitës që goditet për të mos ngritur kokën.
Është çështja e ekzistencës apo mosekzistencës së opozitës.
Është çështja e nënshtrimit të saj para botës së krimit apo qëndresës me heroizëm kundër saj.
Është çështja pra e betejës midis sovranitetit të shqiptarëve, midis ligjit dhe Kushtetutës, mafies dhe kodit të saj, krimit dhe drogës së saj.