Ish-kryeministri Sali Berisha, ka thënë në një takim “online” me demokratët në Florida të SHBA-ve se shpallja e tij ‘non grata’ është bërë pa prova e fakte.
Ai thekson shpallja ‘non grata’ është sponsorizuar nga George Soros, pasi ai ka denoncuar planin e shpërbërjes së Kosovës. Berisha thekson më tej, se vendimet e ndërmarra dje, në Kuvendin Kombëtar, ishin për të shpëtuar statutin dhe konservatorizmin në Shqipëri.
“Shpallja non grata e Sali Berishës është rast unik në botë. Nuk ka asnjë njeri që shpallet non grata 8 vite pasi ka dhënë dorëheqjen nga funksionet drejtues. Nuk ka asnjë njeri në listën e personave të shpallur non grata ndaj të cilit të mos ketë ekzistuar asnjë lloj akuze nga asnjë individ apo institucion, si ndaj atij, ndaj edhe familjes së tij. U shpalla non grata edhe për një arsye tjetër madhore. Pasi partia që unë mbështes humbi zgjedhjet, projekti ishte që kjo parti të shndërrohej në aleate të PS. Këtë unë kurrsesi nuk e pranoja, sepse binte në kundërshtim flagrant me interesat e shqiptarëve. Me politikat e ndjekura të qeverisë aktuale, Shqipëria ka zbritur nga vendi me pagën mestarë më të lartë në rajon, ka zbritur në vendin me pagën mesatare më të ulët në rajon. Këto ishin arsyet se përse unë u shpalla non grata. Si veprova? Unë vendosa t’i drejtohem menjëherë gjykatës dhe hodha në gjyq për shpifje Sekretarin e Shtetit që kishte firmosur vendimin. E mbajta një çështje personale. Kërkova që askush të mos merret me këtë punë, sikundër, natyrisht, fillova një fushatë informimi midis të tjerëve të gjithë ligjvënësve në SHBA me qëllimin e vetëm që është abuzuar rëndë me ligjin e Kongresit. Ky ligj nuk parashikon shpallje non grata pa dokumente. Ata pretendojnë se Sekretari i Shtetit është bazuar nga të dhëna të marra nga OJF në Shqipëri në Evropë. Por ato janë të sponsorizuara nga Soros dhe mediat që janë të kapura nga Rama. A imagjinohet që për fjalë të kundërshtarëve të goditet kështu opozita. SHBA-të nëse do të ushtronin praktikë të tillë do të shkatërronin opozitat demokratike në mbarë botën. Ky nuk është qëllimi i tyre, këto janë qëllime të iniciuara nga multimilioneri Geroge Soros. Në këtë kushte, kur në Shqipëri opozita përfundoi si shtojcë e qeverisë, kur pluralizmi politik ra në agoni, fillova nismën për shpëtimin e PD, për rithemelimin e saj, për sovranitetin e saj.
Kreu i PD, vendosi në kundërshtim me çdo rregullt, statutin, forumet, me kërkesë të Ambasadores Amerikane dhe DASH, të më pengojë të futem në parlament, por pasi dështoi më përjashtoi nga grupi. Unë iu drejtova atit, zoti Blinken ka të drejtë të përcaktojë se kush ka të drejtë të futet në SHBA. Por nuk ka të drejtë ai, e as njeri të diktojë kush do të futet në Kuvendin shqiptar, ky është parim në çdo vend të lirë të botës. Ndaj dhe unë, për të rivendosur sovranitetin e PD, ndërmora këtë nismë e cila me një aktivitet të jashtëzakonshëm në Kuvendin e djeshëm u konkretizua me një statut të ri, i cili pasqyron sot në Shqipëri, si dokument partiak, më shumë se çdo statut tjetër, vlerat e shoqërisë amerikane. Ne vendosëm në statut primare, sipas modelit amerikan, në zgjedhjen e drejtuesve dhe qeveritarëve vendorë e qendrore, në zgjedhjen e votuesve të partisë e të forumeve të saja. Ne rikthyem votën e lirë dhe pushtetin te anëtarët. Ne sanksionuam shtyllat kryesore të programit tonë. Mbështetja te të përndjekurit politikë, si shtyllat e konservatorizmit. Taksat e ulëta si parime të saj. Sanksionuam interesim kombëtar. Denoncuam Ballkanin e Hapur që nuk është asgjë tjetër veçse vendosje e influencës së Serbisë në Rajon. Ballkani i Hapur i mbështetur nga Geroge Soros, është nismë kryekëput anti-shqiptare, kundër Kosovës. Ka futur Kosovën në darë armiqësore. Dita e djeshme ishte data më e rëndësishme në historinë e lirisë së shqiptarëve. U jam mirënjohës ju për interesin që ju keni dëshmuar dhe ju garantoj se PD, e rithemeluar në pushtet do të bëjë gjithçka që ju të keni të drejtën e votës në vendin tuaj. Të vendoset kuadri ligjor më i favorshëm për investimet tuaja”, tha Berisha.
/Priza.al/