Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi në Çim PEKA LIVE se ai është pjesë e grupit parlamentar të PD.
“Data 10 ishte një ditë historike për mua. Një përpjekje e pandershme, e paimagjinueshme për të cenuar, për të marrë sovranitetin e parlamentit, për të diktuar se kush do hyjë në parlament, dështoi plotësisht.
Unë garantoj çdo shqiptar që qëllimi im nuk ishte personi Sali Berisha, por sovraniteti dhe dinjiteti i këtij vendi, të cilin për sa kohë të jetë i lirë dhe sovran, nuk duhet ta diktojë askush. Për mua kjo ishte më kapitalja,” tha Berisha.
“Unë jam anëtar i grupit të PD. Pavarësisht nga burokracia, por ka një ligj, i cili përcakton se kur deputeti nuk është anëtar i forcës së vet politike. Pse jam anëtar i grupit parlamentar të PD? Sepse unë kam kandiduar për PD dhe jo si i pavarur. Së dyti, KQZ e ka lëshuar mandatin e Sali Berishës si deputet i PD. Së treti, zoti Basha ka shpallur një deklaratë televizive, duke dhunuar çdo germë, çdo nen, çdo fjalë të statutit të PD.
Unë nuk kam asnjë vërejtje për mendimin e tij personal, por ky mendim është nul nëse nuk votohej minimumi në Këshillin Kombëtar ku duhet miratuar me dy të tretat”, tha Berisha.
/Priza.al/