Lideri i Forza Italia, Silvio Berlusconi ka lënë terapinë intensive dhe tashmë është shtruar në një repart të zakonshëm spitalor. Lajmi u konfirmua nga vëllai i tij Paolo, teksa po futej në spitalin San Raffaele për të vizituar ish-kryeministrin italian.
“Gjithçka është në rregull” – thotë ai para gazetarëve.
Berlusconi u shtrua në spital 12 ditë më parë për shkak se gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua, pasi ai prej kohësh vuan nga leucemia. Nata e fundit e liderit të Forza Italia në terapi intensive ishte e qetë dhe ishin mjekët ata që dhanë dritën jeshile për transferimin në një dhomë të zakonshme spitali.
Berlusconi ndiqet nga mjeku i tij i besuar dhe shefi i kujdesit intensiv, Alberto Zangrillo dhe Fabio Ciceri. Si zakonisht, familja dhe miqtë vizituan Berluskonin të dielën.
“Suksese Silvio miku im!”, ka shkruar Matteo Salvini në rrjetet e tij sociale. Sot Berlusconi ka pritur për vizitë nga presidenti i Mediaset, Fedele Confalonieri i cili ka mbërritur në spital pak para orës 16:30 dhe nga vajza e tij Marina.