Lufta në Ukrainë ka mbërritur në ditën e 355-të, teksa trupat ruse po përdorin dronë dhe balona spiunazhi për të lokalizuar objektivat dhe për të monitoruar lëvizjen e forcave ukrainase. Presidenti i Ukrainës u bëri thirrje vendeve të fuqishme europiane për ndihmë me mjete ushtarake. Sakaq, ish-kryeministri i Italisë Silvio Berluskoni është shprehur se nëse do të kishte qenë në detyrë, nuk do ta kishte takuar Volodymyr Zelensky-n.
“Ne jemi dëshmitarë të shkatërrimit të vendit tuaj dhe masakrës së ushtarëve dhe civilëve të tij. Mjaftonte që Zelensky të ndalonte së sulmuari dy republikat autonome të Donbasit dhe kjo nuk do të kishte ndodhur, ndaj e gjykoj shumë, shumë negativisht sjelljen e tij”, tha Berlusconi.
I pyetur nga gazetarët teksa po largohej nga qendra e votimit, ai shpjegoi gjithashtu se, sipas tij ka vetëm një mënyrë për t’i dhënë fund luftës:
“Biden duhet të marrë Zelensky dhe t’i thotë që është në dispozicionin e Ukrainës kur të mbarojë lufta m një plan 9 trilion dollarë për të rindërtuar Ukrainën, me një kusht, që nesër të urdhërosjë armëpushim, edhe sepse duke filluar nga nesër nuk do t’ju japim më dollarë dhe nuk do t’ju japim më armë”
Pas këtyre deklaratave ka ardhur dhe reagimi zyrtar i Kievit. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Ukrainës u shpreh: “Akuzat e pakuptimta të Berlusconit kundër Zelenskyt janë një përpjekje për të puthur duart e Putinit, të cilat janë gjakosur deri në bërryla. Një përpjekje për të provuar besnikërinë e tij ndaj diktatorit rus”