Pak më shumë se një muaj më parë, për të qenë ekzakt në një protestë të datës 9 prill, kohë kur fushata elektorale për zgjedhjet e 14 Majit kishte nisur, banorët e Bërxullës shpreheshin para mediave se nuk do të dilnin për të votuar në procesin zgjedhor për njësitë e qeverisjes vendore.
Teksa protestonin për të disatën herë duke bllokuar aksin Qafë Kashar-Rinas për të kundërshtuar projektin e autostradës Thumanë-Kashar dhe kërkonin shpronësime me vlerën e tregut, ata paralajmëruan bojkot të 14 Majit, nëse problemi i tyre nuk do merrte zgjidhje.
“Ata vetëm shohin, bëjnë fresk. Shteti po na vret, pasojat po i vuajmë vetëm nga drejtuesit, na godasin nga lart. Kemi 7 kërkesa elementare, certifikimin e pronës dhe vlerësimin sipas çmimit të pronës kërkojmë, e thotë vetë ligji. Nuk po kërkojmë asgjë jashtë ligjit. Edhe akomodimi, ku do shkojmë ne nëse na shembet banesa, kemi 1 muaj që ia kemi bërë me pika. Nuk ka votime më 14 maj për Bërxullën. Kur ata nuk na njohin ne pse duhet ta bëjmë, zëri ynë nuk po dëgjohet. Nuk do marrim pjesë në zgjedhje”, tha një prej përfaqësuesve të banorëve të Bërxullës në këtë tubim.
Rruga do të kalojë në pronat e tyre për të cilat, institucionet nuk i kanë gjetur zgjidhje për dëmshpërblimin edhe pse ata u endën rrugëve dhe dyerve të institucioneve për 7 muaj duke protestuar.
Aksi nga ku kalon autostrada e florinjtë Thumanë-Kashar prek rreth 30 ha tokë në Bërxullë dhe 20 banesa për të cilat banorët kërkojnë dëmshpërblim me vlerën e tregut, e më pas edhe bonus qeraje.