Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha gjatë fjalës së tij në protestën që opozita po zhvillon ditën e sotme, e cilësoi kryeministrin Edi Rama ‘besëprerë e faqezi’. Berisha tha se Rama është kryeministri më i korruptuar në Europë duke i kërkuar të japë dorëheqjen dhe të largohet.
Pjesë nga fjala e Berishës:
“Në protestën e fundit, opozita pro-perëndimore e Shqipërisë, u tregoi të vërtetën liderëve europianë se Edi Rama është kryeministri më i korruptuar në Europë, se është kreu i narkoshtetit të parë dhe të vetëm në Europë.
Të gjithë e mbani mend baltën që hodhi Rama mbi opozitën për ta heshtur atë, të gjithë i mbani mend masat që i mori kundër popullit opozitar për të mos protestuar atë ditë. Të gjithë e mbani mend atentatin që organizoi me një mjeran të paguar, por ai mori turpin botëror. Zëri ynë ushtoi në gjithë botën.
E vërteta kurrë nuk mbulohet dot. E vërteta triumfon gjithmonë, ashtu si rrezja e diellit që shpërndan terrin, e vërteta jonë bëhet gjithmonë e më ndriçuese, në Shqipëri, por edhe te miqtë tanë në botë.
Sot mediat e gjithë botës po flasin të vërtetën që shprehu opozita dy muaj më parë në atë protestë. Sot mediat botërore mbajnë në faqen e parë skandalin, Wotergejtin e shekullit të 21-të.
Në këtë skandal, Edi Rama është i vetmi kryemnistër që përmendet 14 herë që korruptoi dhe përdori si vrasës me pagesë kundër opozitës perëndimore të Shqipërisë, njërin nga zbuluesit më të fuqishëm të planetit.
A ka atentat më të rëndë ndaj demokracisë së një vendi se ky? A ka turp më të madh për Shqipërinë se sa ky akt?
Dikur Shqipëria bënte lajmin e botës për pritjen madhështore për presidentin e SHBA, sot Shqipëria përbën lajmin e botës se kreu i narkoshtetit, sikur të ishte Lukashenko i Bjellorusisë, korrupton shefin e kundërinteligjencës së FBI, partnerit tonë më strategjik, udhëheqësit të Aleancës së Atlantikut të Veriut.
Dikur Shqipëria bënte lajm për hyrjen në NATO, sot bën lajm se kryeministri i saj barazohet me një oligark rus, mik të Putinit, strofull të shërbimeve kriminele ruse. Kombi nuk ka pasur një faqezi të dytë si ti. Jep dorëheqjen, largohu!”