Ditën e sotme u shqyrtuan disa kërkesa ankimore të depozituara nga subjektet politike për zgjedhjet e 14 majit.
Koalicionin “Bashkë Fitojmë” ishte ai që depozitoi në KAS ankimim në lidhje me zgjedhjet lokale të 14 majit në Bashkinë e Belshit. Kërkesa e koalicionit është që të rinumërohen votat në të gjitha qendrat e votimit të Bashkisë së Belshit. Kjo pasi sipas tyre, nga të dhënat në tabelën e rezultatit rezulton se diferenca ndërmjet kandidatëve është disa fish me e vogël se numri i votave të pavlefshme në këtë njësi i cili është 229 vota.
“Në përfundim Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve shpalli kandidatin fitues, z. Arif Tafani me një diferencë prej vetëm 40 vota. Por nga të dhënat në tabelën e rezultatit rezulton se diferenca ndërmjet kandidatëve është disa fish me e vogël se numri i votave të pavlefshme në këtë njësi i cili është 229 vota.
Jemi të bindur, bazuar në prova dhe fakte të pakundërshtueshne, se periudha para dhe zgjedhore u shoqërua me shkelje të ligjit, të cilat cënuan rëndë procesin zgjedhor në një masë të tillë që ndikoi drejtpërdrejtë në ndarjen e mandatit”, thuhet në ankimim.
KAS vendosi pushimin e shqyrtimit të kërkesës ankimore të depozituar nga Partia Lëvizja e Legalitetit me objekt shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve në dy qendra votimi në bashkinë Tiranë”.
KAS vendosi të mos kalojë për shqyrtim kërkesën ankimore të depozituar nga Partia Lëvizja e Legalitetit me objekt shpalljen të pavlefshme të zgjedhjeve në dy qendra votimi në bashkia Kamzë, si dhe kërkesën për shpallje të pavlefshme të zgjedhjeve në 7 qendra votimi në bashkinë Tiranë.
KAS ktheu për plotësim kërkesën ankimore të depozituar nga Partia Aleanca Demokristiane e Shqipërisë me objekt kundërshtimin e vendimit të KZAZ-së së bashkisë Përmet, si dhe që kërkon rinumërim dhe rivlerësim të votave për të gjithë qendrat e votimit të kësaj KZAZ-je.
KAS vendosi kalimin për shqyrtim të kërkesës ankimore të Partisë Lëvizja e Legalitetit me objekt “Shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve në QV nr. 1100, nr. 1575 në Bashkinë Dibër.