Kryeministri i vendit Edi Rama ka prezantuar ditën e sotme në krye të Kadastrës drejtuesen e re Dallëndyshe Bici. I pranishëm ishte edhe ish-drejtuesi Artan Lame. Kreu i qeverisë tha se sot është koha për një frymë të re, ndërsa paralajmëroi se do të ngrihet në Task Forcë brenda Kadastrës për të gjithë punonjësit që abuzojnë me pozicionin e tyre.
Për Ramën synim është që të mbyllen të gjitha rrugët e kontakteve të drejtpërdrejta mes qytetarëve dhe Kadastrës.
“Rezultatet janë të dukshme janë të prekshme! Por sot është koha për një shkëputje. Sot kemi një bazë nga e cila mund të shkojmë me shpejtësi më tutje që është teknologjia. Koha të mbyllim përfundimisht të gjitha rrugët e kontakteve të drejtpërdrejta mes qytetarëve dhe Kadastrës. Duhen mbyllur të gjitha sportelet. Kadastra gjithë personeli duhet të hyjë mbrapa ekranit.
Duhet një bashkëpunim i ngushtë mes AKSHI-it. Duhet një bashkëpunim i ngushtë me Prokurorinë Speciale dhe sa i përket AMTP-ve që kjo nuk ka të bëjë drejtpërdrejtë me Kadastrën, por ka të bëjë me bishtat e pisllëkut dhe korrupsionit të të kaluarës që është nga koha e komunave që ka gjetur hapësirë edhe nëpër njësitë bashkiake dhe që prodhon edhe sot që flasim dokumente, AMTP që jepen tani dhe që pretendohet që janë dhënë në 1991-shin dhe 1992-shin, por natyrisht që e thashë që kjo është komplekse dhe është përtej institucionit vet”- tha Rama.
Kryeministri Edi Rama u shpreh se në fokus të punës së drejtueses së re të Kadastrës do të jetë cilësia dhe shpejtësia në zbatim të ligjit.
Drejtuesja e re e Kadastrës, Dallëndyshe Bici, ka deklaruar se kjo detyrë është një sfidë për të, teksa ka shtuar se shpreson të bëjë më të mirën e mundshme në shërbim të qytetarëve. Bici nënvizoi se shpreson që të bëhen hapa të rëndësishëm në këtë institucion që kanë të bëjnë me zgjidhjen e problematikave të vjetra ku ka theksuar dixhitalizimin.