Presidenti amerikan Joe Biden, i frikësohet një tjetër ‘gjakderdhjeje” si në vitin 2021, nëse Donald Trump do të humbiste zgjedhjet e ardhshme në nëntor.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara e bëri këtë deklaratë gjatë intervistës së parë të dhënë që pas tërheqjes së tij nga gara për një mandat të dytë.
“Nuk jam aspak i bindur – i tha ai CBS-së në një intervistë që do të transmetohet të dielën dhe për të cilën janë dhënë disa parashikime – se nëse Trump humbet, do të ketë një transferim paqësor të pushtetit. Ai ishte serioz kur fliste për një gjakderdhje në rast humbjeje, por nuk mund ta duash vendin tënd vetëm kur fiton”.
Referenca ka të bëjë me kërcënimin që Trump kishte nisur gjatë një mitingu në Ohio në muajin Mars, kur foli për një “gjakderdhje’ nëse rezultati i zgjedhjeve në nëntor është i ndryshëm nga fitorja e tij. Ai pasazh shkaktoi reagime të shqetësuara nga demokratët, ndërsa Trump më vonë shpjegoi se i referohej situatës ekonomike. Por çështja ka mbetur e diskutueshme, edhe sepse shumë mbështetës të Trump vazhdojnë të kërcënojnë me luftë civile nëse liberalët fitojnë edhe një herë.
Por gjatë intervistës, Biden bëri edhe një tjetër gafë të vogël. Ai iu përgjigj pyetjes për tranzicionin paqësor, duke thënë fillimisht “nëse Trump fiton” nuk do të ketë tranzicion paqësor, përpara se të korrigjohet dhe të thotë “nëse Trump humbet”.
Mesazhi vjen në një kohë kur, në realitet, entuziazmi mes demokratëve është në kulmin e tij pas muajsh dyshimesh dhe sondazhesh negative. Fushata e Kamala Harris, e cila mori detyrën nga Biden vetëm më 21 korrik, njoftoi mbledhjen e 36 milionë dollarëve në njëzet e katër orët e para, pas shpalljes së zgjedhjes së saj si zëvendëspresident, të guvernatorit të Minesotës, Tim Ëalz.