Presidenti amerikan Joe Biden deklaroi të enjten më 30 qershor se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj do të vazhdojnë të mbështesin Ukrainën në luftën e saj kundër Rusisë “për aq kohë sa nevojitet” për t’u siguruar që ajo të jetë fitimtare.
“Ne do të qëndrojmë me Ukrainën dhe e gjithë aleanca do të qëndrojë me Ukrainën, për aq kohë sa nevojitet për t’u siguruar që ato të mos mposhten nga Rusia,” tha Biden më 30 qershor në një konferencë shtypi në fund të samitit të NATO-s që u mbajt në Madrid.
“Ukraina i ka dhënë tashmë një goditje të rëndë Rusisë,” tha Biden, duke shtuar se ai “nuk e di se si do të përfundojë, por nuk do të përfundojë me një humbje të Ukrainës kundrejt Rusisë”.
Biden tha se si pjesë e angazhimit ndaj Ukrainës, Shtetet e Bashkuara planifikojnë të japin më shumë se 800 milionë dollarë” të tjerë për mbrojtjen ajrore, artilerinë, sistemet kundër bombardimeve dhe armë të tjera. Ai nuk saktësoi se kur do të bëhet i ditur njoftimi. Ukraina thotë se riktheu kontrollin e Ishullit të Gjarprit; Rusia thotë se u tërhoq
Edhe Britania e madhe njoftoi të enjten se do të jepte 1.21 miliardë dollarë mbështetje ushtarake për Ukrainën.
Biden, vendi i të cilit siguron pjesën më të madhe të fuqisë luftarake të NATO-s, njoftoi të mërkurën një rritje të madhe të pranisë ushtarake të Amerikës në Evropë, duke përfshirë një bazë të përhershme të SHBA-së në Poloni, dy destrojerë të tjerë me bazë në Rota të Spanjës dhe dy skuadrone të tjera me avionë F35 në Britani. Zgjerimi i pranisë amerikane do të përfshijë 100,000 trupa në Evropë, nga 40,000 para fillimit të luftës në Ukrainë./rel