Biden: SHBA nuk do t’i njohë kurrë pretendimet e Rusisë në Ukrainë

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se Shtetet e Bashkuara nuk do ta njohin “kurrë, kurrë, kurrë” përpjekjen e Rusisë që të aneksojë territor të Ukrainës.

Ai i ka bërë këto deklarata para fjalimit që do të mbajë presidenti rus, Vladimir Putin, të premten. Në të ai pritet që të deklarojë se katër rajone ukrainase do t’i bashkohen Rusisë.

Kremlini ka thënë se Luhansku, Donjecku, Zaporizhja dhe Hersoni, kanë votuar në të ashtuquajturat referendume për t’iu bashkuar Rusisë.

Ukraina dhe Perëndimi i konsiderojnë këto referendume si të rreme. Shtetet e Bashkuara do t’i vendosin Rusisë sanksione të reja për shkak të synimeve për aneksim.

“Dua të jem shumë i qartë, Shtetet e Bashkuara nuk do të njohin kurrë, kurrë, kurrë, pretendimet e Rusisë për territorin sovran të Ukrainës”, ka thënë Biden.

Të enjten, presidenti rus ka nënshkruar dy dekrete, përmes së cilave njeh rajonet e Zaporizhjas dhe Hersonit si territore të pavarura – duke e hapur rrugën për aneksim.

Në dokumente, që i ka shpërndarë media shtetërore, është thënë se pavarësia e këtyre dy rajoneve, është në përputhje me ligjin ndërkombëtar.

Megjithatë, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka thënë se ky aneksim i territorit të shtetit, është i bazuar në përdorim të forcës dhe është kundër ligjit ndërkombëtar.

“Është përshkallëzim i rrezikshëm”, “që nuk ka vend në botën moderne”, ka thënë ai.

Në Sheshin e Kuq të Moskës janë kryer përgatitjet për fjalimin e Putinit.

Kjo ngjarje pritet të jetë përsëritje e asaj të vitit 2014, kur Rusia ka aneksuar Gadishullin ukrainas të Krimesë.

As ai aneksim nuk është njohur nga pjesa më e madhe e komunitetit ndërkombëtar.

Ekspertët perëndimorë besojnë se Putin shpreson të aneksojë rajonet e pushtuara të Ukrainës, ashtu që të mund të argumentojë se territori rus është nën sulme të armëve perëndimore.

Sipas tyre, kështu Putin mëton të bindë disa Qeveri që të mos dërgojnë ndihmë ushtarake për Kievin.  Autoritetet ukrainase, në anën tjetër, kanë thënë se vendimet e Putinit për aneksim, nuk e ndryshojnë situatën në fushëbetejë.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt. Vetë Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *