Drejtues të policisë shqiptare arrestohen në pikën kufitare të Kosovës në Vërmicë.
Bëhet me dije se aksioni “Pika” kishte nisur prej disa javësh më parë me arrestimin e 50 zyrtarëve policorë, ndërsa ka vazhduar edhe sot.Sakaq, mediat në Kosovë bëjnë me dije se pritet që ditën e sotme të arrestohen rreth 20 efektivë të Kosovë dhe 40 të tjerë të Shqipërisë. Efektivët e policisë dyshohen për veprat penale “marrje e ryshfetit” dhe “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Ndërkohë, mësohet se ky hetim është bërë në bashkëpunim edhe me prokurorët e SPAK-ut.
Njoftimi i Policisë:
Komunikatë e përbashkët për media nga Inspektorati Policor i Kosovës dhe Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës. Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht punonjësit nga të gjitha Departamentet operative të saj në koordinim të plotë me Prokurorinë Speciale kanë filluar sot në orët e hershme të mëngjesit një operacion të gjerë në kuadër të autorizimeve dhe fushëveprimit ligjor të IPK-së.
Operacionit të sotshëm (i koduar me emrin “Pika 2”) i ka paraprirë një hetim rreth një vjeçar me dyshimin për përfshirje në aktivitete të kundërligjshme të një numri të zyrtarëve policorë lidhur me veprat penale “marrje e ryshfetit” dhe “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Ky hetim është duke u zhvilluar në koordinim të plotë dhe udhëheqjen nga Prokuroria Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) duke përfshirë edhe masa të fshehta të hetimit. Hetimi përfshin edhe bashkëpunim me prokurorë nga SPAK-u (Struktura e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar e Republikës së Shqipërisë) dhe zyrtarët e AMP-së Agjencisë për Mbikëqyrje Policore (agjencia homologe e IPK-së në Shqipëri).
IPK do të vazhdojë të mbetet e përkushtuar në ndërmarrjen e veprimeve që kanë për qëllim fuqizimin e integritetit policor.