Një banesë është grabitur në Dibër. Mësohet se ngjarja ka ndodhur në familjen Manuka.
Hava Manuka ka rrëfyer të gjithë momentin kur kanë dyshuar se janë grabitur, ndërsa tregon se pasi ka bërë denoncimin në polici se i kishin vjedhur paratë, ajo tha se ka marrë edhe kërcënime.
“Ishte natë ‘Big Brotheri’. Po e shikonim me gjithë fëmijët. Më pas, nga ora 21:30, shkova tek dhoma e gjumit. Në momentet e reklamës po flisja me burrin në Angli. Ne ndenjëm deri nga ora 01:30. Ishim në shtëpi brenda. Kur shkojmë për të rënë në gjumi, djali iku tek dhoma e tij, unë fika dritat. Po ashtu vajza shkoi në dhomë, sepse flemë bashkë dhe kur hapi vajza derën ishte e mbyllur.
Burrin e kishim live, sepse po flisnim në telefon. Vajza thotë: mami kanë hyrë hajdutë brenda, sepse dera është e mbyllur. Djali i vogël hapi derën e madhe, doli jashtë shtëpisë, pa pas dritares, e cila ishte hapur dhe vërejti se drita ishte ndezur. Kur hapëm derën ishte rrëmujë. Kur pashë vendin e lekëve, ato ishin vjedhur. Nuk prekëm asnjë dhe lajmëruam policinë. Erdhën 3 policë, më pas erdhi ekspertiza. Na thanë se kishin ardhur nga fusha dhe po ashtu u zbulua edhe rruga që kishin ndjekur për t’u larguar. Më pas erdhën policë me qen kufiri dhe arriti deri në vendin ku kishin mbërritur autorët. Çuni e dinte se i kisha brenda, tani ne kemi dosjen në polici dhe na kanë kërcënuar. Na thonë se kemi çuar emrat në polici, ne nuk kemi dërguar asnjë emër. Na kanë kërcënuar… Unë në polici kam treguar ngjarjen që ndodhi, kam treguar se kush mi ka sjellë paratë, sepse dyshonin se nuk kam pasur para. Dy muaj para se të na grabisnin shtëpinë djali kishte ardhur nga Italia”, ka treguar ajo.