Shefat kanë mbajtur gjithmonë një sy mbikëqyrës mbi punonjësit e tyre. Në fund të fundit, një pjesë e punës së çdo menaxheri, është të sigurohet që vartësit të kryejnë një punë të mirë, të mos ta lënë atë pas dore dhe sigurisht, të mos vjedhin.
Vendet e punës janë monitoruar prej kohësh, nga inspektorët, kamerat CCTV dhe së fundmi, nga lloje të ndryshme sensorësh, që kontrollojnë se sa aplikacione po përdorin punonjësit apo nëse dikush po merr shumë lirshëm nga kutia e përbashkët e parave.
Sidoqoftë, në vitet e fundit, dhe veçanërisht pasi pandemia nxiti punën larg zyrave të korporatave dhe në tryezat e kuzhinës, është rritur, si fushëveprimi, ashtu edhe shkalla e mbikëqyrjes së korporatave, shkruan The Economist.
Një studim nga Komisioni Europian, zbuloi se kërkesa globale për softuerë spiunues ndaj punonjësve, u dyfishua midis prillit 2019 dhe prillit 2020.
Brenda disa javësh pas fillimit të karantinave të para në mars 2020, pyetjet e kërkimit mbi mjetet e monitorimit, u rritën më shumë se 18 herë. Shitjet e prodhuesve të softuerëve të mbikëqyrjes, u rritën. Time Doctor, një kompani e cila regjistron video të ekraneve të përdoruesve ose kryen rregullisht foto për t’u siguruar që ata po kryejnë punë në kompjuterin e tyre, trefishoi papritmas shitjet në prill 2020, krahasuar me një vit më parë.
Shitjet në DeskTime, e cila gjurmon kohën e kaluar duke kryer punën, u katërfishuan në atë periudhë. Një sondazh i më shumë se 1000 kompanive në Amerikë në vitin 2021, zbuloi se 60% e tyre përdornin softuerë monitorimi. 17% të tjerat po e merrnin në konsideratë një gjë të tillë.
Duke pranuar se përgjimi është në rritje, më 7 maj, një ligj i shtetit të Nju Jorkut, nisi t’u kërkonte firmave që t’i tregojnë stafit të tyre për çdo monitorim elektronik të celularit, email-it dhe aktivitetit të tyre në internet. Korporatat mund të gjobiten nga 500 deri në 3000 dollarë për çdo shkelje.
Nju Jorku u bashkohet shteteve Connecticut dhe Delaware, të cilët kanë urdhëruar transparenca të ngjashme që nga fundi i viteve 1990 dhe fillimi i viteve 2000.
Në Europë, që nga viti 1995, kompanive u kërkohet të provojnë se monitorimi ka një bazë legjitime biznesi, si parandalimi i vjedhjes së pronës intelektuale, apo rritja e produktivitetit.
Më shumë rregulla të tilla pritet të dalin. Ato nuk kanë gjasa të pengojnë që më shumë zyra të përqafojnë metodën Big Brother në ambientin e punës.
Buzëqeshni, jeni para kamerës
Kompanitë kanë arsye të vlefshme për t’i monitoruar punëtorët. Siguria është një prej tyre: gjurmimi i vendndodhjes së stafit në një ndërtesë mund t’i ndihmojë punëdhënësit që t’i lokalizojnë punonjësit në rast urgjence. Një tjetër arsye është mbajtja e sigurt e parave dhe e të dhënave.
Për të siguruar që punonjësit të mos ndajnë informacione delikate, banka si JPMorgan Chase përgjojnë telefonatat, dëgjojnë regjistrimet e bisedave dhe shikojnë email-et, madje edhe gjurmojnë se sa kohë qëndron stafi në ndërtesë. Në vitin 2021, banka Credit Suisse, filloi të kërkonte akses në pajisjet personale të përdorura për punë.
Kompanitë startup po ofrojnë metoda më të sofistikuara për t’u mbrojtur ndaj kërcënimeve. Firma Awareness Technologies, shet softuerë të quajtur Veriato, të cilët japin një vlerësim rreziku për çdo punonjës, në mënyrë që punëdhënësi të mund të vlerësojë gjasat që ka ai/ajo për të nxjerrë të dhëna me vlerë, ose për të vjedhur sekretet e kompanisë.
Një firmë tjetër, Deepscore, pretendon se metodat e saj të ekzaminimit të fytyrës dhe zërit, mund të përcaktojnë sa i besueshëm është një punonjës.
Një tjetër arsye e madhe pse kompanitë duan të mbikëqyrin punonjësit, është për të vlerësuar dhe për të rritur produktivitetin.
Në dy vitet e fundit, janë krijuar shumë mjete të disponueshme për menaxherët, që pretendohet se mund të tregojnë jo vetëm nëse punonjësi po punon, por edhe sa shumë po përpiqet në punën e tij. Punëdhënësit mund të ndjekin çdo shtypje të tastierës ose lëvizje të maus-it, mund të kenë qasje në kamerat e internetit dhe mikrofonat, të skanojnë email-et për thashetheme, ose të marrin foto të monitorëve të kompjuterëve, duke i përgjuar në çdo hap punonjësit.
Disa veçori monitorimi po bëhen të disponueshme në softuerët e përdorur gjerësisht nëpër zyra, si Google Workspace, Microsoft Teams ose Slack.
Shumë produkte të mbikëqyrjes mundësohen nga Inteligjenca Artificiale që po bëhet gjithnjë e më e zhvilluar. Enaible pretendon se mund të masë se sa shpejt punonjësit i përfundojnë detyrat, si një mënyrë për të hequr qafe dembelët.
Vitin e kaluar, grupi teknologjik japonez Fujitsu krijoi një softuer që premton se mund të masë përqendrimin e punonjësve, duke u bazuar në shprehjet e tyre të fytyrës. RemoteDesk i paralajmëron menaxherët nëse punonjësit po hanë ose po pinë në punë.
Të mbledhura me përgjegjësi, të dhëna të tilla mund të rrisin ecurinë e përgjithshme të një firme. Mbikëqyrja më e madhe e punës së punonjësve mund të parandalojë edhe mbingarkimin e tyre me punë. Teknologjia mund t’i fuqizojë punonjësit që përballen me paragjykime ose diskriminim.
Prindërit dhe personat e tjerë me detyra jashtë zyrës, mund të tregojnë se janë po aq produktivë sa kolegët e tyre në zyrë. Dhe njerëzit zakonisht i tolerojnë kontrollet e çantave dhe kamerat CCTV, sepse i shohin si mënyra legjitime për të përmirësuar sigurinë. Po kështu, shumë pranojnë se përgjimet e telefonatave dhe email-eve të punës, janë të drejta.
Megjithatë, kritikët e mbikëqyrjes kanë frikë se firmave nuk u duhet zënë besë. Në vitin 2020, një reagim i ashpër i stafit, e detyroi bankën britanike Barclays, të heqë softuerin që gjurmonte kohën që kalonin punonjësit në tryezat e punës dhe i ngacmonte ata që e zgjasnin kohën e pushimit të drekës.
Po atë vit, Microsoft u kritikua sepse nisi të maste produktivitetin e punonjësve, duke përdorur matje të tilla si: sa shpesh merrnin pjesë në takime online me video, apo sa shpesh dërgonin email-e. Gjiganti i softuerit kërkoi falje dhe bëri ndryshime për të shmangur identifikimin e individëve.
Në teori, qëllimi ishte të sigurohej një pasqyrë e hollësishme mbi mënyrën se si funksionojnë organizatat. Në praktikë, kjo gjë i vuri punonjësit kundër njëri-tjetrit.
Kjo tregon një problem tjetër: shumë produkte të mbikëqyrjes, që synojnë të rrisin produktivitetin, nuk janë testuar mirë. Disa rrezikojnë të jenë kundërproduktivë.
Hulumtimet kanë treguar se monitorimi çon në rënien e besimit dhe nivele më të larta stresi, që nuk favorizojnë aspak një performancë më të lartë.
Në një studim të qendrave Call Center, të cilat kanë përdorur që herët teknologjinë e mbikëqyrjes, monitorimi intensiv i performancës së punonjësve, kontribuoi në rraskapitje emocionale, depresion dhe heqje dore nga puna.
Në një anketë nga Express VPN, që mori në pyetje 2,000 punëtorë në distancë dhe hibridë në Amerikë, mbi një e treta përjetoi presion për t’u dukur më produktivë ose për të punuar me orë më të gjata, si rezultat i monitorimit.
Një e pesta e punonjësve, e shihnin një metodë të tillë si çnjerëzore dhe gati gjysma e punonjësve thanë se përdorën një softuer antimbikëqyrës, të krijuar posaçërisht për të shmangur monitorimin online.
Janë edhe shqetësimet për privatësinë – veçanërisht kur përgjimi kalon nga zyra në shtëpi – dhe nuk është çudi që punonjësit nuk e pëlqejnë këtë ide. Sipas një sondazhi në vitin 2018, nga Kongresi i Sindikatave të Britanisë, vetëm një në katër punonjës mendonin se monitorimi kishte më shumë përfitime sesa anë negative.
Tre në katër punonjës e konsideronin softuerin e njohjes së fytyrës si të papërshtatshëm. Ata kishin shqetësime të ngjashme në lidhje me monitorimin e përdorimit të mediave sociale jashtë orarit të punës dhe përdorimin e kamerave të internetit për spiunim.
Firma e konsulencës Gartner, vitin e kaluar, zbuloi se punonjësit në nëntë shtete të zhvilluara ekonomikisht, favorizonin monitorimin jodixhital, si kontrollet personale nga menaxherët, në vend të monitorimeve dixhitale. Vetëm 16% e punonjësve francezë mendonin se ishte e pranueshme çdo formë e mbikëqyrjes dixhitale.
Me hyrjen në fuqi të ligjeve si ai në Nju Jork, shumë punonjës mund të mësojnë se pikëpamjet e tyre mbi përshtatshmërinë e metodave të tilla, mund të jenë shumë të ndryshme nga ato të punëdhënësve. Punëdhënësit, nga ana tjetër, duhet të zbusin entuziazmin për të përgjuar stafin.
Shumica e kompanive ndoshta do të arrijnë në një kompromis të arsyeshëm. Ato që nuk e bëjnë, mund të zbulojnë se marrja e më shumë njohurive, është diçka e rrezikshme./MONITOR