Numri i të vdekurve në Turqi dhe Siri tani është rritur në mbi 25,401. Tani është konfirmuar se vetëm në Turqi kanë vdekur 21,848 njerëz. Ndërsa 3,553 të tjerë janë vrarë nga tërmeti në Siri. Operacionet e shpëtimit në 10 provincat e Turqisë të prekura nga tërmeti vdekjeprurës i së hënës kanë vijuar.
Një vullnetar i “Helmetave të Bardha”, të njohur zyrtarisht si Mbrojtja Civile e Sirisë, i tha CNN të enjten se si pasojë e tërmeteve, “dhjetëra mijëra familje janë aktualisht të pastreha në të gjithë Sirinë veriperëndimore”. Ai u shpreh se moti i ftohtë po e shton katastrofën, pasi ekipet e shpëtimit përpiqen të nxjerrin njerëzit nga nën rrënoja.
“Ne kemi nevojë për ndihmë për të kërkuar të mbijetuar dhe për të tërhequr të vdekurit nga ndërtesat e shembura. Ne kemi nevojë urgjente për të ndihmuar familjet e pastreha duke siguruar strehimore, ushqim, rroba dhe gjëra thelbësore” – tha vullnetari Zidane.
Ai u shpreh se ka akses të kufizuar në ndihma në pjesën që kontrollohet nga rebelët antiqeveritarë në mes të një krize humanitare që rezulton nga lufta civile më shumë se dhjetëvjeçare e Sirisë.