Shifrat e aksidenteve rrugore vijojnë të jenë të larta në vendin tonë edhe gjatë vitit 2022.
Që prej muajit janar të këtij viti e deri më tani, në të gjithë vendin numërohen 694 aksidente rrugore, ku për pasojë 66 persona kanë ndërruar jetë dhe 825 të tjerë janë plagosur. Referuar të dhënave të policisë, 81 prej tyre kanë marrë plagë të rënda në trup dhe 740 persona u dëmtuan më lehtë.
Kujtojmë se gjatë mesditës së sotme një aksident i rëndë me vdekje u shënua në autostradën Vlorë-Fier. Një 50-vjeçar që ishte duke lëvizur në këmbë u përplas nga një automjet tip “Nissan” që drejtohej nga një 19 vjeçar.
Ndërsa, në vetëm 3 ditët e fundit kanë ndërruar jetë 6 persona, në autostradën Kalimash – Morinë, në aksin Milot – Mamurras dhe në Fier-Seman. Në pjesën më të madhe të ngjarjeve, shkak i aksidentit ka qenë sjellja e drejtuesit të mjetit, të kryera nga grup-mosha 20 deri në 34 vjeç.