Situata hidrike në vitin 2024 nuk ka rezultuar aq pozitive sa ajo në vitin që lamë pas, duke sjellë për rrjedhojë një prodhim më të ulët të energjisë.
Të dhënat nga bilanci i energjisë, të publikuara nga INSTAT tregojnë se ka një rritje të peshës së importeve në tremujorin e dytë të vitit me 75.2%. Sipas publikimit gjatë tremujorit të dytë të vitit 2024, energjia elektrike në dispozicion u ul me 2,2%.
“Prodhimi neto vendas i energjisë elektrike në këtë periudhë u ul me 18,9%, duke arritur vlerën 1.841 GWh nga 2.269 GWh energji të prodhuar në tremujorin e dytë të vitit 2023.
Ky prodhim u realizua nga hidrocentralet publike në masën 44,6%, nga hidrocentralet private dhe koncensionare në masën 48,6% dhe nga të tjerë prodhues (Fotovoltaik) në masën 6,8% të prodhimit neto vendas të energjisë elektrike.
Importi bruto i energjisë elektrike (energji në marrje), në tremujorin e dytë të vitit 2024, arriti vlerën 623 GWh nga 355 GWh që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke shënuar kështu një rritje me 75,2%. Eksporti bruto i energjisë elektrike (energji në dhënie) arriti vlerën 665 GWh nga 786 GWh duke shënuar një rënie me 15.4%”, thuhet në publikim