Ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Delina Ibrahimaj doli sot në konferencën e fundit mbi treguesit e ekonomisë gjatë 11 mujorit të këtij viti. Sipas saj, ecuria e ekonomisë ka rezultuar më pozitive se pritshmëria, edhe pse efektet e krizës janë ndjerë.
“Kosova është rritur me 2.7%, Maqedonia e Veriut me 2%, Mali i Zi me 2.8% dhe Serbia me 1% krahasuar me Shqipërinë që është rritur me 4%. Ka pasur një ngadalësim të rritjes në të gjitha vendet e rajonit në krahasim me 3 mujorin e dytë të vitit” – u shpreh Ibrahimaj.
Ministrja theksoi se norma e inflacionit është ulur gatë muajit nëntor, në krahasim me muajt e mëparshëm, teksa u shpreh se në reduktim ka ardhur edhe borxhi publik. Lidhur me situatën e papunësisë Ministrja tha: “Shkalla e papunësisë për tremujorin e tretë ka rezultuar në nivelin më të ulët të këtyre viteve, në 10.6%”
Nga ana tjetër, rritje kanë pësuar investimet e huaja dhe sektori i pasurive të paluajtshme.
E pyetur mbi bastet sportive, Ibrahimaj u shpreh se në nisje të vitit të ardhshëm do të nisin procedurat e miratimit të një ligji që do të bëjë të mundur lejimin e basteve sportive online duke ruajtur kriteret dhe parametrat e përcaktuara.