‘Billboardet’ e fushatës socialiste, KQZ urdhëron veprimin e menjëhershëm

Vendosja e materialeve propagandistike të Partisë Socialiste, ishte pjesë e shqyrtimit në mbledhjen e sotme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Përfaqësues të koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ dhe forcave të tjera kanë denoncuar se ‘Billboard-e’ të Kryeministrit Rama janë në çdo rrugë të vendit. Ata e cilësojnë këtë shkelje flagrante të Kodit Zgjedhor.

Administrata e KQZ kërkoi që të urdhërohet policia bashkiake që materialet të hiqen. Sipas tyre materialet e vendosura nuk e kanë mbishkrimin ‘prodhuar në përgjegjësinë e …(emrin e subjektit politik që i ka vendosur)’, që është detyrim i thënë qartë në Kodin Zgjedhor.

“Kodi e thotë qartë se të gjitha materialet propagandistike duhet të kenë mbishkrimin ‘prodhuar në përgjegjësinë ligjore të subjektit që i ka përdorur’. Pra është shkelur neni 79 pika 3 e Kodit Zgjedhor. Ndalohet përdorimi i materialeve propaganduese në kundërshtim me këtë kod. Duhet të ndalohen dhe të ngarkohet policia bashkiake. Ose le t’i tërheqë Partia Socialiste këto materiale, t’i prodhojë ashtu siç ligji i ka përcaktuar dhe të na sjellë kontratat që ka bërë me këto subjekte private. Kjo është shkelje”, tha përfaqësuesi i KQZ.

Ndërkohë që Kryekomisioneri i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi i dha dy ditë kohë PS dhe partive të tjera ta përmbushin këtë detyrim. Sa i përket vendit të vendosjes ai tha se do të kërkohet informacion nga bashkitë.

“I lëmë afat prej dy ditësh, që të gjitha subjektet, përfshirë edhe PS, ta zgjidhin dhe të vendosin mbishkrimin ‘prodhuar nën përgjegjësinë ligjore të…’. Në rast të kundërt do të urdhërojmë heqjen e atyre materiale. Në lidhje me pjesën tjetër do të kërkojmë informacion nga kryetarët e këtyre bashkive apo bashkitë përkatëse mbi përcaktimin e vendeve për vendosjen e materialeve propagandistike zgjedhore”, tha Celibashi.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *