Votimet e së dielës shënuan një rekord të ri të pjesmarrjes së ulët, por grupi që i braktisi ato më shumë ishin votuesit për herë të parë – një tregues sipas ekspertëve që rinia e ka bojkotuar politikën e vjetër.
Zgjedhjet vendore të 14 majit shënuan një pjesëmarrje të ulët të votuesve, por në masën më të madhe u braktisën të rinjtë, votuesit për herë të parë.
Nga 122,545 zgjedhës që votonin për herë të parë më 14 maj, sipas të dhënave të raportuara në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, vetëm 16 628 prej tyre ose 13.5% e kanë ushtruar të drejtën e votës ditën e dielë.
Ekspertët e zgjedhjeve besojnë se ka pasur disa arsye që ka lënë të rinjtë jashtë fokusit të këtyre zgjedhjeve si; fushata e polarizuar politike; mungesa e platformave të kandidatëve që tërheqin këtë grup-moshë votuesish si dhe mungesa e edukimit të tyre për zgjedhjet.
Duke analizuar pjesëmarrjen e ulët të të rinjve në votime, Rigels Xhemollari, drejtor ekzekutiv i “Qendresa Qytetare” i tha BIRN se rinia nuk gjen hapësira tek politika.
“Rinia e ka bojkotuar politikën e vjetër, tek e cila nuk sheh as politika rinore, as bashkëmoshatarë të përfaqësuar dhe as hapësirë për t’u rritur,” tha Xhemollari, duke rreshtuar disa arsye që, sipas tij, kanë ndikuar tek bojkoti i të rinjve në votimet e së dielës.
“Arsyeja e parë është mungesa e programeve dhe gjuhës se politikës për t’iu qasur të rinjve,” shtoi ai.
“Arsyeja e dytë është që kjo kategori nuk e ka kalcifikuar votën dhe nuk mund të votojë me tifozeri, po nuk pa një interes apo program konkret dhe e treta është fakti që ka një mungesë të thellë edukimi demokratik për të ushtruar të drejtën e votës në shkolla, universitete e me radhë,” përfundon Xhemollari.
KQZ ndërmori disa fushata sensibilizimi për kategori të veçanta votuesish, ndër to dhe për të votuesit për herë të parë në periudhën parazgjedhore duke e konsideruar angazhimin e të rinjve në proceset demokratike element të rëndësishëm në vendimmarrjet publike.
Mospjesëmarrja e votuesve në zgjedhjet vendore shënoi një rekord të ri historik. Sipas të dhënave të pjesshme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, vetëm 35% e votuesve ushtruan të drejtën e votës këtë të dielë, një rekord i ri historik negativ i paparë më herët.
Vetëm 1.25 milionë shqiptarë nga 3.65 milionë shtetas me të drejtë vote ushtruan të drejtën e tyre të votimit të dielën për zgjedhjet për pushtetin vendor, sipas të dhënave paraprake të KQZ-së./BIRN