Diskutime të ashpra mbi luftën e Rusisë në Ukrainë kanë dominuar bisedimet e G20-s, me Indinë, mikpritëse e shteteve këtë radhë, që ka thënë se mosmarrëveshjet nënkuptojnë se nuk do të ketë deklaratë të përbashkët.
Sekretari amerikan i Shtetit ka thënë se takimi është dëmtuar nga “lufta e paprovokuar dhe e pajustifikuar” e Rusisë.
Ministri i Jashtëm rus ka akuzuar Perëndimin për “kërcënim dhe shantazh”.
India ka dashur të fokusohet në çështje të tjera, por ka thënë se diferencat mbi Ukrainën “nuk mund të tejkaloheshin”, raportoi BBC.
“Ne tentuam, por hendeku mes shteteve ishte shumë i madh”, ka thënë ministri i Jashtëm indian.
Në një fjalim me video drejtuar ministrave të Jashtëm, kryeministri indian, Narendra Modi, u kërkoi atyre të mos lejojnë që tensionet aktuale t’i shkatërrojnë marrëveshjet që mund të arrihen për sigurinë e ushqimit dhe energjisë, ndryshimin e klimës dhe krizën e borxhit. “Ne të gjithë kemi qëndrimet dhe perspektivat tona se si duhet të zgjidhen këto tensione”, tha ai, duke shtuar se: “Ne nuk duhet të lejojmë që çështjet që nuk mund t’i zgjidhim së bashku t’i pengojnë ato që mund t’i zgjidhim”.
Duke shprehur frikën se përçarja gjithnjë e më e ashpër ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj, nga njëra anë, dhe Rusisë dhe Kinës, nga ana tjetër, duket se do të zgjerohet më tej, Modi tha se “multilateralizmi është në krizë sot”.
Ai u ankua se dy qëllimet kryesore të rendit ndërkombëtar pas Luftës së Dytë Botërore – parandalimi i konfliktit dhe nxitja e bashkëpunimit – ishin të pakapshme.
“Përvoja e dy viteve të fundit, kriza financiare, pandemia, terrorizmi dhe luftërat tregojnë qartë se qeverisja globale ka dështuar”, tha ai.
Lufta në Ukrainë dhe efektet e saj në energjinë globale dhe sigurinë ushqimore do të dominojnë shumicën e ngjarjeve ndërkombëtare.