Të dërguarit e NATO-s nuk arritën një konsensus të mërkurën nëse do të fillonin bisedimet e anëtarësimit me Finlandën dhe Suedinë, thanë diplomatët, ndërsa Turqia përsëriti kundërshtimet e saj ndaj pranimit të dy vendeve nordike.
Të dërguarit u takuan në selinë e NATO-s në Bruksel pasi ambasadorët e Finlandës dhe Suedisë paraqitën kërkesat me shkrim për t’u bashkuar me organizatën ushtarake, një lëvizje që shënon një nga pasojat më të mëdha gjeopolitike të luftës së Rusisë në Ukrainë – dhe që mund të rishkruajë hartën e sigurisë së Evropës.
Diplomatët, të cilët nuk deshën të përmenden për shkak të natyrës së ndjeshme të procedurave, nuk pranuan të thoshin saktësisht se kush ose çfarë po e pengonte procedurën. Ata vunë në dukje mesazhet e shumë prej 30 aleatëve të NATO-s që mirëpresin kërkesat e Finlandës dhe Suedisë.
Ambasadori i Lituanisë Deividas Matulionis tha për mediat suedeze dhe finlandeze se të dërguarit kishin shkëmbyer mendime rreth sigurisë së tyre kombëtare. “Diskutimi ishte për këtë çështje, por i takon Turqisë të komentojë,” tha ai.
Zyrtarët e NATO-s gjithashtu refuzuan të jepnin hollësi. Ata nënvizuan komentet më herët të mërkurën nga Sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg, se “ne jemi të vendosur të punojmë për të gjitha çështjet dhe të arrijmë një përfundim të shpejtë”. Takimet dhe kontaktet diplomatike që synojnë zgjidhjen e problemit do të vazhdojnë.
Por Turqia është aleati i vetëm që ka shprehur qartë kundërshtimin e saj. Presidenti Rexhep Tajip Erdogan këmbëngul se Finlanda dhe Suedia duhet të tregojnë më shumë respekt për shqetësimet turke rreth terrorizmit. Ai po refuzon të heqë dorë nga ajo që ai thotë se është mbështetja e supozuar e këtyre dy vendeve për militantët kurdë.
Presidenti Erdogan akuzon të dy vendet se kanë mbyllur një sy ndaj aktiviteteve të Partisë së ndaluar të Punëtorëve të Kurdistanit, ose PKK-së, edhe pse grupi është në listën e organizatave terroriste të Bashkimit Evropian.
“Ju nuk na dorëzoni terroristët, por na kërkoni që t’ju lejojmë të anëtarësoheni në NATO. NATO-ja është një entitet i sigurisë. Është një agjenci sigurie. Prandaj, ne nuk mund t’i themi “po” heqjes së sigurisë së kësaj organizate”, tha ai të mërkurën, në një fjalim para deputetëve të partisë në pushtet.
Dita filloi me një notë optimiste. Zoti Stoltenberg tha fillimisht se aleanca ushtarake është e gatshme për të shfrytëzuar një moment historik dhe për të lëvizur me shpejtësi për të lejuar Finlandën dhe Suedinë të bashkohen në radhët e saj, pasi të dy vendet paraqitën kërkesat e tyre për anëtarësim.
“Unë mirëpres ngrohtësisht kërkesat e Finlandës dhe Suedisë për t’u anëtarësuar në NATO. Ju jeni partnerët tanë më të ngushtë”, tha zoti Stoltenberg. “Të gjithë aleatët bien dakord për rëndësinë e zgjerimit të NATO-s. Të gjithë jemi dakord që duhet të qëndrojmë së bashku dhe të gjithë jemi dakord se ky është një moment historik që duhet ta shfrytëzojmë”.
“Kjo është një ditë e mirë në një moment kritik për sigurinë tonë,” tha zoti Stoltenberg i entuziazmuar, ndërsa qëndronte përkrah dy të dërguarve, me flamujt e NATO-s, Finlandës dhe Suedisë në sfond.
Presidenti rus Vladimir Putin ka kërkuar që aleanca të ndalojë zgjerimin drejt kufijve të Rusisë dhe disa aleatë të NATO-s, të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania, kanë sinjalizuar se janë të gatshëm të ofrojnë mbështetje sigurie për Finlandën dhe Suedinë nëse Kremlini përpiqet të provokojë ose destabilizojë këto vende gjatë kohës që duhet për t’u bërë anëtarë të plotë.
Vendet do të përfitojnë nga garancia e sigurisë e nenit 5 të NATO-s – pjesa e traktatit themelues të aleancës që theskon se çdo sulm ndaj një anëtari do të konsiderohet si një sulm ndaj të gjithëve – pasi të përfundojë procesi i ratifikimit të anëtarësimit, ndoshta pas disa muajsh.
Kryeministri britanik Boris Johnson mirëpriti aplikimet e tyre në një postim në Twitter dhe tha se “ambiciet e tmerrshme të Putinit kanë transformuar strukturën gjeopolitike të kontinentit tonë”. Gjermania, Italia, shtetet baltike dhe Republika Çeke folën pozitivisht për kandidatët.
Nëse kapërcehen kundërshtimet e zotit Erdogan dhe bisedimet e anëtarësimit shkojnë ashtu siç pritej, të dyja vendet mund të bëhen anëtarë së shpejti. Procesi zakonisht zgjat tetë deri në 12 muaj, por NATO dëshiron të lëvizë shpejt duke patur parasysh kërcënimin nga Rusia që qëndron mbi kokat e vendeve nordike.
Opinioni publik në Finlandë dhe Suedi është zhvendosur fuqishëm në favor të anëtarësimit që kur Rusia filloi sulmin kundër Ukrainës më 24 shkurt.
Finlanda dhe Suedia bashkëpunojnë ngushtë me NATO-n. Ato kanë demokraci funksionale, forca të armatosura të mirëfinancuara dhe kontribuojnë në operacionet ushtarake të aleancës dhe patrullimin ajror./VOA