Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko ka deklaruar ditën e sotme se fokusi kryesor i politikave ekonomike duhet të jetë marrja e masave për zbutjen e inflacionit dhe kthimin e tij në objektiv.
Gjatë fjalës së tij në një konferencë për mediat pas bisedimeve dy javore me FMN, Sejko foli për situatën ekonomike në vend, teksa theksoi se inflacioni mbetet një kërcënim kryesor për stabilitetin makroekonomik dhe rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë ekonomike të vendit.
“Diskutimet kanë pasur në fokus si sfidat aktuale ashtu dhe reformat strukturore. BSH dhe FMN kanë ndarë opinione të ngjashme mbi sfidat e zhvillimit që kemi përpara. Rritja e çmimeve në tregjet botërore i ka përballur ekonomitë me sfida serioze ekonomike, përfshirë Shqipërinë. Inflacioni në gusht në 8%. Inflacioni përbën kërcënimin kryesor mbi stabilitetin makroekonomik dhe mbi rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë ekonomike të vendit.
Fokusi kryesor i politikave ekonomike duhet të jetë marrja e masave të koordinuara për zbutjen e inflacionit dhe kthimin e tij në objektiv. BSH është fokusuar te normalizimi gradual i politikës monetare. Projeksionet tona për të ardhmen sugjerojnë që inflacioni do mbetet i lartë dhe gjatë 2-3 muajve në vijim. Më tej stabilizimi i tregjeve do të sjellin një reduktim të inflacionit. Ekonomia shqiptare do të vazhdojë të rritet. Rritja ekonomike do vijojë të përfitojë nga stabiliteti i përgjithshëm. Nga bilancet e shëndosha të familjeve dhe bizneseve si dhe mbështetja me kredi nga sektori bankar. Sektori bankar në Shqipëri i shëndetshëm dhe likuid”, deklaroi Sejko.