Pas bisedimeve për paqe midis Rusisë dhe Ukrainës, të mbajtura në Turqi ditën e sotme, Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky ka bërë një reagim në rrjetet sociale. Nëpërmjet një video-mesazhi, ai tha se sinjalet nga bisedimet mund të quhen pozitive, por “këto sinjale nuk i mbytin shpërthimet e bombave ruse”. Duke shtuar se “vetëm një rezultat konkret nga bisedimet mund të merret seriozisht.”
Ndërkohë kujtojmë se ky reagim nga Zelensky erdhi pas njoftimit nga Moska Zyrtare se do të shkurtonte në mënyrë drastike aktivitetin e saj ushtarak të fokusuar në Kiev dhe Chernihiv, duke sinjalizuar një përparim të mundshëm në bisedat për paqe. Megjithatë, njoftimi është pritur me optimizëm të kujdesshëm dhe njëfarë skepticizmi, ndërsa SHBA deklaroi më herët se trupat ruse janë duke u ripozicionuar dhe jo duke u tërhequr. /Priza.al