I dërguari special i Bashkimit Evropian për dialog, Mirosllav Lajçak, dhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, u takuan të hënën në Vjenë për të diskutuar për një varg çështjesh në lidhje me bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, në vëçanti për nevojën e zbatimit të menjëhershëm të një marrëveshjeje mes dy vendeve fqinje për normalizimin e marrëdhënieve. Lajçaku shkroi të hënën pasdite në rrjetin social X se u pajtua me Bislimin se zbatimi i menjëhershëm i marrëveshjes drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë “është urgjencë”. Ai iu referuar Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve dhe Aneksit për zbatimin e saj, për të cilat Kosova dhe Serbia u pajtuan në fillim të vitit të kaluar gjatë dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.
Marrëveshja nuk është zbatuar asnjëherë, pavarësisht trysnisë ndërkombëtare që ato ta zbatojnë atë. Marrëveshja për normalizim, prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut. Bislimi tha të hënën pas takimit në Vjenë se bisedoi me të dërguarin e bllokut për dialogun edhe për qëndrimin e Serbisë së nuk do të zbatojë pjesë të marrëveshjes.
“U ngritën edhe çështje tjera urgjente për zbatim të plotë dhe pakushte të Marrëveshjes Bazike.. si dhe [biseduam për] letrën e Beogradit për tërheqje nga marrëveshja”, shkroi Bislimi në X.
Në fund të vitit të kaluar, Serbia, përmes një dokumenti tha se, nuk e ka ndër mend të zbatojë pjesë të Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve me Kosovën, duke e shqetësuar bllokun evropian, i cili tha se marrëveshja dhe aneksi i Ohrit janë ligjërisht të detyrueshëm për palët.
Bislimi tha se temë bisedimesh të hënën ishin edhe udhërrëfyesin për zbatimin e Marrëveshjes për Energji dhe lëviza e lirë. Marrëveshja për Energjinë filloi të zbatohet në fillim të këtij viti, kur Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut i Kosovës (KOSTT) njoftoi se nga 1 janari në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës ka nisur të regjistrohet energjia elektrike e shpenzuar, dy vjet pasi Kosova dhe Serbia e nënshkruan udhërrëfyesin për zbatimin e marrëveshjes, që ishte arritur më 2013 në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja. Ai gjithashtu tha se ia përsëriti të dërguarit të BE-së qëndrimin e Kosovës së njohja e pasaportës së lëshuar nga Serbia për serbët e Kosovës do të kishte ndikim të keq në integrimin e tyre në vend.
“E theksova se shtyrja para e propozimin për njohjen e pasaportave të jashtëligjshme të lëshuara nga Serbia ka ndikim negativ në procesin e integrimit dhe e dëmton rëndë dialogun”, tha ai.
Komisioni Evropian tha javën e kaluar se pret që në procesin e përbashkët ndërinstitucional në Bashkim Evropian të miratohet kërkesa e tij që liberalizimi i vizave të vlejë edhe për bartësit e pasaportave të Serbisë, të cilët banojnë në territorin e Kosovës. Në prill të vitit të kaluar, KE-ja kishte theksuar se liberalizimi i vizave për Kosovën – i cili hyri në fuqi më 1 janar – vlente vetëm për poseduesit e pasaportave të Kosovës dhe jo për ata qytetarë që kanë pasaporta të Administratës Koordinuese, e cila punon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë. Por, tani komisioni dëshiron që edhe serbët e Kosovës me pasaporta serbe të mundë të udhëtojnë pa viza sa më parë, pasi më 16 nëntor propozoi që liberalizimi i vizave për Kosovën të vlejë edhe për ata./rel