Bizneseve u shkon shkresa e tatimeve: Deklaroni pagat reale

Tatimet u kanë dërguar së fundmi subjekteve një shkresë, ku u kërkojnë që të bëjnë deklarimin real të pagave. Shkresa është e njëjtë për të gjithë dhe u ka vajtur edhe subjekteve që realisht janë korrektë më pagat.

Në letrën zyrtare thuhet: “Ju drejtohemi me anë të kësaj letre, pasi nga kontrollet e ushtruara nga administrate tatimore në subjekte qe ushtrojne te njejtin aktivitet me Ju janë vënë re parregullsi dhe mospërputhje të dukshme në deklarimin e pagave. Rikujtojmë se, deklarimi i pavërtetë i pagës përbën kundravajtje administrative dhe dënohet me gjobë sipas Nenit 119 të Ligjit 9920/2008, “Për Procedurat tatimore në RSH”, i ndryshuar. Deklarimi i pavërtetë përbën në këtë rast edhe një dëm të drejtëpërdrejtë ndaj punonjësve tuaj, duke u cënuar atyre të drejtën e përfitimit të merituar të pensionit, si edhe ndaj të ardhurave publike që burojnë nga sistemi i kontributeve shoqërore. Ju drejtohemi me kërkesën e rishikimit të pagave të deklaruara dhe me shpresën që Ju do deklaroni pagat reale të punonjësve tuaj në listëpagesat e muajit Korrik 2022, për të mos u përfshirë në grupin e tatimpaguesve që evidentohen me risk dhe si të tillë dhe do jenë objekt kontrolli nga administrate tatimore”.

Më herët, tatimet njoftuan se do të zgjeronin kontrollet për informalitetin e pagave, pasi sipas analizave specifike të kryera nga Administrata Tatimore, bazuar në vetëdeklarimin e tatimpaguesve, rezulton se për një numër të lartë punëmarrësish në shumë sektorë është deklaruar paga minimale. Gjithashtu edhe për një pjesë tjetër të punëmarrësve pagat e deklaruara janë ndjeshëm më të ulëta sesa mesatarja e tregut për këto aktivitete.

Krahas 2 sektorëve të vlerësuar me risk më parë ai i ndërtimit dhe tregtisë, tatimet evidentuan së fundmi me risk për nëndeklarimin e pagave edhe 2 kategori të tjera, konkretisht Sektorin e Mediave dhe Komunikimit dhe Sektorin e Institucioneve të Arsimit privat.

Administrata Tatimore njoftoi se do të vijojë kontrollet nëpërmjet zbatimit të planit sektorial për kontrollin e informalitetit të pagave, faza II, në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.

Sipas INSTAT, në fund të tremujorit të parë të këtij viti, 21% e të punësuarve m apgë gjithsej merrnin 30 mijë lekë, që është dhe paga minimale zyrtare, ndërsa 23.3% nga 30-40 mijë lekë dhe 13.6% nga 40-50 mijë lekë.

Në total, gati 60% e të punësuarve në vend marrin më pak se 50 mijë lekë bruto në muaj.

Një listë e pagave që rrodhi disa muaj më parë nxori në dukje faktin që shumë profesione, për të cilat realisht tregu paguan më shumë merrnin zyrtarisht paga 30 apo 40 mijë lekë.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *