Biznesmeni Gramoz Mema është ekzekutuar me armë zjarri me silenciator pranë zonës së njohur si lagjia e Tepelenasve” në Ksamil. Ngjarja e rëndë ka ndodhur një natë më parë rreth orës 21:45, në Ksamil, por është raportuar më shumë se një orë me vonesë, pasi akush nuk ka dëgjuar të shtëna.
Katër persona i zunë pritës Memës, e qëlluan me armë zjarri e më pas u larguan duke e lënë biznesmenin të shtrirë në rrugë.
Me plagë të shumta në trup, Mema është dërguar për në spitalin e Sarandës, por rrugës ka humbur jetën si pasojë e humbjes së gjakut. Vetë fqinjët e Memës kanë rrëfyer se biznesmeni ishte një njeri i qetë dhe nuk njihej si problematik në zonë.
Ai kishte një lokal me qira në qendër të Ksamilit. Paraprakisht dyshohet se vrasja ka ardhur si pasojë e konflikteve në lidhje me ‘bizneset e errëta’ ku ishte përfshirë Mema. Nuk përjashtohet as pista e një konflikti të hershëm që mund të ketë pasur viktima për arsye të tjera.
Mësohet se viktima Gramoz Mema ka qenë prej disa vitesh emigrant në Angli. Ai ishte kthyer para dhjetë vitesh dhe jetonte me nënën, ndërsa ishte i pamartuar.
/Priza.al/