Bjellorusia ka thirrur ambasadorin ukrainas, me pretendimin se kishte rrëzuar një raketë të mbrojtjes ajrore ukrainase në territorin e saj.
Kjo ndodhi gjatë një prej sulmeve më të rënda ajrore të Rusisë kundër Ukrainës deri më tani, raportoi BBC-ja të premten.
Pamjet nga televizioni shtetëror bjellorus duket se tregojnë mbetje raketash në një fushë.
Një zëdhënës i ushtrisë ukrainase tha se incidenti ishte “rezultat i mbrojtjes ajrore”.
Bjellorusia – një aleat kryesor i Rusisë kërkoi që Kievi të kryejë një hetim të plotë, pasi raketa S-300 ra pranë kufirit.
Është hera e parë që Bjellorusia rrëzon një raketë të Ukrainës që nga pushtimi rus në shkurt.
Ambasadori ukrainas u thirr në ministrinë e jashtme në Minsk.
“Pala bjelloruse e sheh këtë incident si jashtëzakonisht të rëndë”, tha zëdhënësi Anatoly Glaz për agjencinë e lajmeve Reuters.
Ai i bëri thirrje Ukrainës që “të marrë masa gjithëpërfshirëse për të parandaluar përsëritjen e incidenteve të tilla në të ardhmen”.
Ministria e mbrojtjes e Ukrainës tha se ishte e gatshme të ftojë ekspertë nga vendet që nuk mbështesin “shtetin terrorist të Rusisë” për të ndihmuar në hetimin e incidentit, duke shtuar se rezervon “të drejtën e pakushtëzuar për mbrojtjen e qiellit të vet”.
Ai tha se nuk përjashtonte një “provokim të qëllimshëm” në të cilin Moska lëshoi raketat e saj të lundrimit në një rrugë ku ato do të kapeshin mbi territorin bjellorus.