Kreu i SPAK, Arben Kraja deklaroi sot se statusi dhe lidhjet politike nuk do të mbrojnë askënd nga drejtësia duke theksuar se koncepti i pandëshkueshmërisë për shkak të lidhjeve politike apo rrezikshmërisë së lartë të individëve të caktuar, ka marrë fund.
Ai tha se grupi i parë i BKH, e cilësuar si FBI shqiptare është gati për të nisur punë, duke shtruar nevojën për krijimin e një godine të re për ushtrimin e detyrës së tyre. Një tjetër problematikë e ngritur prej tij është mandati i kufizuar i prokurorëve dhe hetuesve duke theksuar se kjo bie ndesh me qëllimin përse ato janë krijuar.
“Ka nevojë për analiza për të parë se ku do shkojmë përpara. SPAK ka një vit e gjysmë që ushtron aktivitet por është një periudhë e mjaftueshme për të parë se çfarë kemi arritur. Kjo periudhë ka qenë intensive. Falenderoj KLP që më në fund u shtuan dhe dy prokurorë. Konsolidimi i strukturave, grupi i parë i BKH është pothuajse gati për të filluar punë. Grupi që ofron trajnimet është efikas. Ka pasur pa diskutim rezultate. Rezultatet e fundit të muajve të fundit janë të matshme dhe kanë qenë publike.
Ndëshkueshmëri me vendime të formës së prerë, konfiskime ta pasurive nga aktiviteti kriminal dhe hetime ndaj zyrtarëve dhe jo zyrtarëve. Ajo që dua të theksoj është se përditë e më shumë po bëhet më efikase. Kjo shihet në pritshmëritë në raport me partnerët. Përditë e më shumë është më i besueshëm, në numri e rasteve që po referohen. Duhet të jeni të ndërgjegjshëm që mes pritshmërisë dhe kushteve janë dy gjëra të ndryshme.
Do i shkojmë deri në fund çështjeve pavarësisht personave që janë të përfshirë, Ka nevojë për një ambient të përshtatshëm për BKH. Do jetë e pamundur që të ushtrojnë funksionet në kushte normale. E dyta ka të bëjë me një koncept për prokurorët dhe hetuesit e BKH. Mandati i kufizuar bie ndesh me konceptin e luftës kundër korrupsionit. Kjo situatë nuk mund të zgjidhet me një strukturë me mandat të kufizuar kohor. Në fazën e tretë do jetë faza kur sistemi i drejtësisë do japë rezultatet. Koncepti i pandëshkueshmërisë për arsye të lidhjeve politike do marrë fund. Ne punojmë me parimin që të gjithë janë të barabartë para ligjit dhe kështu do vazhdojë deri në fund’, u shpreh Kraja.
/Priza.al/