Blerja e 66 biçikletave të vjedhura nëpër rrugët e kryeqytetit i ka kushtuar një dënim me burg një 31 vjeçari në Tiranë. Anderson Fidani u shpall fajtor nga Gjykata e Tiranës për akuzën e “përvetësimit të mallrave që rrjedhin nga vepra penale” dhe u dënua me 2 vjet e 6 muaj burg, dënim që shkoi në 1 vit e 8 muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Hetimi ndaj tij nisi në tetor të vitit 2020, kur pas dhjetëra kallëzimeve të qytetarëve për vjedhje biçikletash, policia zbuloi magazinën e Fidanit tek banesa e tij në rrugën e Qelqit.
Gjatë hetimit dhe në proces, 31-vjeçari pretendoi ua kishte blerë biçikletat disa minorenëve në çmime që varionin nga 2 deri në 7mijë lekë të rinj.
“Duke qenë se ishin me çmime të arsyeshme mendova t’i blej dhe t’i lëshoja me qira gjatë verës në Durrës, i ka thënë Fidani hetuesve. Nëse do ta dija që ishin të vjedhura nuk do t’i blija”.
Por nga ana tjetër, kanë qenë dëshmitë e minorenëve, që kanë provuar të kundërtën. Ata kanë rrëfyer se biçikletat e shitura prej tyre tek 31-vjeçari i kishin vjedhur në kohë dhe zona të ndryshme në Tiranë, në rrugë apo hyrje pallatesh.
Me blerjen e sendeve të vjedhura, arsyeton gjykata, i pandehuri Fidani ka krijuar siguri tek autorët e vjedhjeve në shitjen e tyre.
/Burimi: A2Cnn/