Sekretari i Shtetit i SHBA Antony Blinken e përshkroi Gjermaninë si mikun më të ngushtë të vendit të tij. “Unë mendoj se është e drejtë të thuash se Shtetet e Bashkuara nuk kanë asnjë partner më të mirë, asnjë mik më të mirë në botë sesa Gjermania,” deklaroi Blinken, duke qëndruar përkrah Kancelares Angela Merkel në Berlin.
Sekretari gjithashtu falenderoi Merkel për “udhëheqjen e jashtëzakonshme”. Kujtojmw se Merkel planifikon të heqë dorë nga roli i Kancelares pas 16 vitesh në pushtet, pas zgjedhjeve të përgjithshme në shtator. Për Merkel dhe Gjermaninë, komentet reflektonin një ndryshim të mirëpritur në politikën e SHBA që kur Joe Biden u bë president pas vitesh kritikash të ashpra nga Donald Trump për çështje të tilla si tregtia dhe mbrojtja. Ata gjithashtu mund të shkaktojnë një zili midis zyrtarëve britanikë, të cilët janë mburrur prej kohësh me një “marrëdhënie të veçantë” me Shtetet e Bashkuara – edhe pse Boris Johnson thotë se nuk i pëlqen termi.
Duke theksuar nevojën për bashkëpunim dhe partneritet shumëpalësh në ballafaqimin me sfidat globale, që nga ndryshimet klimatike e deri tek teknologjitë e reja, Sekretari Blinken vlerësoi rolin e Gjermanisë si shembull në disa fronte. “Mendoj se ne jemi të një bindjeje se kemi përgjegjësi, sidomos në këtë moment, për të demonstruar se demokracia është sistemi që funksionon për të përmirësuar jetë njerëzish në mbarë botën,” theksoi zoti Blinken.
Ai u ndal tek puna që ka bërë Gjermania lidhur me krizën në Libi, si bashkë organizatore e konferencës shumëpalëshe të së mërkurës përkrah OKB-së, për të arritur përparim drejt krijimit të kushteve për zgjedhje të sigurta dhe pastrimin e këtij vendi nga luftëtarët e huaj. “Konferenca e sotme ishte një shembull shumë i mirë i punës që ka bërë Gjermania lidhur me Libinë dhe shpresojmë që nga ky moment të fillojmë të shohim një Libi në rrugën e sigurisë, lirisë dhe pavarësisë, të mbështetur nga komuniteti ndërkombëtar.”
Sekretari amerikan i shtetit vazhdoi më tej se kishte tema të tjera me interes të përbashkët si Kina dhe Rusia, por shtoi se “për sot, zonja Kancelare, më lejoni të them Faleminderit! Po ashtu dua t’ju them se Presidenti Biden mirëpret takimin me ju në Uashington muajin e ardhshëm”. Takimi me Kancelaren Merkel pasoi bisedimet mes zotit Blinken dhe homologut gjerman Heiko Maas.
Vizita e zotit Blinken në Gjermani nxori në pah përmasat dhe forcën e marrëdhënieve SHBA-Gjermani, por nuk duket se ka shenja përparimi në temën e gazsjellësit rus Nord Stream 2. As zoti Blinken, as ministri i Jashtëm Mass nuk ofruan hollësi mbi afate kohore për një zgjidhje të mundshme. Zoti Blinken ndodhet në Gjermani në vizitën e tij të dytë në Evropë brenda shtatë ditësh, pasi shoqëroi Presidentin Biden në takimin e tij me aleatët evropianë në Britani dhe Belgjikë. Pas Gjermanisë, zoti Blinken do të vizitojë Francën dhe Italinë në kuadër të turneut të tij të parë në këto tre vende në rolin e krye diplomatit amerikan.
/Priza.al/