Njëzet e pesë milionë tonë drithë ukrainase, që do të eksportohen, janë bllokuar për shkak se portet e Detit të Zi janë mbyllur, thotë Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë (FAO) e OKB-së.
“Është një situatë pothuajse groteske që shohim për momentin në Ukrainë”, tha Josef Schmidhuber, zëvendësdrejtor i organizatës në një konferencë për media në Gjenevë.
“Ka rreth 25 milionë tonë drithë që mund të eksportohen, por që nuk mund të largohen nga vendi thjesht për shkak të mungesës së infrastrukturës, bllokadës së porteve”.
Ukraina është një nga vendet më të mëdha në botë që prodhon drithëra. CNN raportoi më parë se forcat ruse po vjedhin mijëra tonë drithë nga fermerët ukrainas, si dhe po synojnë vendet e magazinimit të ushqimit me sulmet që ndërmarrin.
Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës tha të enjten se rreth 400,000 tonë drithë ishin vjedhur deri më tani.
Mungesa e drithit po çon në rritje të çmimeve globale të ushqimit, mes paralajmërimeve nga agjencitë e ndihmës së OKB-së se shumë vende të varura ose nga furnizimet ushqimore humanitare ose nga importet e drithërave ruse ose ukrainase, përballen me pasiguri ushqimore dhe madje edhe urinë./TCh