Tre mjete lundruese janë bllokuar në Vlorë, Sarandë dhe Himarë.
Mësohet se shtetasit me iniciale R. L., 19 vjeç, A. V., 54 vjeç dhe S. L., 48 vjeç janë ndëshkuar me masa administrative nga 10.000 deri në 100.000 lekë të rinj, pasi nuk respektuan zonën e kufizuar për mjetet lundruese.
Njoftimi i policisë:
Vijojnë kontrollet nga Policia Kufitare përgjatë bregdetit në Vlorë, Sarandë dhe Himarë, në kuadër të masave për rritjen e parametrave të sigurisë në plazhe.
Shkon në 4 numri i mjeteve lundruese të bllokuara gjatë kësaj jave, nga DVKM Vlorë.
Nuk respektuan zonën e kufizuar për mjetet lundruese në plazhin e Ksamilit dhe Qeparos, bllokohen 2 mjete lundruese, skaf dhe gomone, si dhe ndëshkohet me masat admin istrative 100.000 lekë dhe 10.000 lekë të rinj, pronari i mjetit lundrues skaf dhe me masën administrative 100.000 lekë të rinj, pronari i mjetit lundrues gomone. Bllokohet dhe një tjetër mjet lundrues skaf, në plazhin e Jalës dhe ndëshkohet me masë administrative 10.000 lekë të rinj, drejtuesi, pasi nuk posedonte dokumentacionin përkatës në bord.
Shërbimet e Policisë Kufitare në Sarandë, në vijim të kontrolleve, në kuadër të masave të marra për mbarëvajtjen e sezonit turistik, kanë konstatuar në plazhin e Ksamilit, një mjet lundrues tip skaf duke lëvizur brenda zonës së kufizuar për mjetet lundruese dhe menjëherë kanë bërë shoqërimin e tij, në portin e Sarandës, për verifikime të mëtejshme. Në bazë të ligjit nr.43, të vitit 2020, drejtuesi i mjetit lundrues tip skaf, shtetasi R. L., 19 vjeç, banues në Ksamil, u ndëshkua me masën administrative 100.000 lekë të rinj për shkelje të nenit 24/1/c, pasi nuk respektoi zonën e kufizuar për mjetet lundruese, si dhe iu bë bllokimi i mjetit lundrues dhe u ndëshkua me masën tjetër administrative 10.000 lekë të rinj për shkelje të nenit 14/1/b, pasi gjatë kontrollit rezultoi pa dokumentacionin përkatës, në bord.
Po në vijim të kontrolleve, në portin e Himarës është bërë bllokimi i një mjeti lundrues tip gomone, pamjet e të cilit janë pasqyruar dhe në rrjetet sociale, pasi është konstatuar nga shërbimet e Policisë Kufitare në Himarë, konkretisht në plazhin e Qeparos, duke lëvizur brenda zonës së kufizuar për mjetet lundruese. Drejtuesi i këtij mjeti lundrues, shtetasi A. V., 54 vjeç, banues në Qeparo, u ndëshkua me masën administrative 100.000 lekë të rinj, si dhe iu bë bllokimi i mjetit lundrues gomone për 5 ditë.
Gjithashtu po nga shërbimet e Policisë Kufitare Himarë, në plazhin e Jalës, është konstatuar një mjet lundrues tip skaf, i cili gjatë kontrollit ka rezultuar pa dokumentacionin përkatës në bord. Drejtuesi i këtij mjeti lundrues, shtetasi S. L., 48 vjeç, banues në Himarë, u ndëshkua me masën administrative 10.000 lekë të rinj, si dhe iu bë bllokimi i mjetit lundrues për 5 ditë.
Policia Kufitare do të vijojë kontrollet dhe fton qytetarët që të denoncojnë çdo rast paligjshmërie, në aplikacionin Komisariati Dixhital ose të telefonojnë në numrin pa pagesë 112, duke iu garantuar anonimatin, reagim të shpejtë dhe profesional.