Si rezultat i motit të keq dhe reshjeve të dendura që kanë pushtuar vendin tonë, një sasi e madhe gurësh ka rrëshqitur në sektorin C të rrugës Milot-Burrel, pranë Ulzës dhe për pasojë rruga është bllokuar.
Sipas informacioneve paraprake në momentin që ka ndodhur rrëshqitja e gurëve, nuk ka pasur makina në rrugë dhe fatmirësisht nuk raportohet për të lënduar.
Nga pamjet duket se gurët janë të përmasave të mëdha, aq sa mund të kishin sjellë pasoja të rënda nëse në rrugë do të kishte mjete që kalonin.
Gjithashtu bëhet me dije se shërbimet e policisë kanë ndaluar qarkullimin në zonë dhe fadromat e mirëmbajtjes janë nisur në drejtim të vendngjarjes për pastrimin e territorit.