Katër dasmorë që ndaluan makinat dhe nisën të hidhnin valle në aksin rrugor Lezhë-Mamurras, tek ‘Mbikalimi i Patokut’ janë proceduar penalisht.
Policia bën me dije se qytetarët me inicialet G. V., 32 vjeç, V. Ll., 32 vjeç, J. S., 21 vjeç dhe V. D., 45 vjeç, banues në fshatin Gorre, Kurbin, akuzohen për veprat penale ‘Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit’ dhe ‘Prishja e rendit dhe qetësisë publike’.
Shërbimet e Policisë kanë bllokuar 4 automjetet luksoze që bllokuan trafikun të cilat rezultojnë në pronësi të dasmorëve dhe për drejtuesit e tyre janë vendosur masa administrative që variojnë nga 50.000 deri në 100.000 lekë.
Njoftimi i Policisë së Kurbinit:
Në lidhje me një video të publikuar në rrjetet sociale dhe në disa media, ku shfaqeshin disa drejtues mjetesh që kishin ndaluar mjetet e tyre në aksin rrugor Lezhë-Mamurras, tek ‘Mbikalimi i Patokut’, duke penguar për disa momente lëvizjen e lirë të mjeteve të tjera dhe duke prishur rendin e qetësinë publike me muzikë të lartë, shërbimet e Policisë Kurbin, në bashkëpunim me DVP Lezhë, falë veprime të shpejta hetimore kanë bërë të mundur identifikimin e drejtuesve të mjeteve. Në vijim të veprimeve hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kurbin proceduan penalisht shtetasit: G. V., 32 vjeç, V. Ll., 32 vjeç, J. S., 21 vjeç dhe V. D., 45 vjeç, banues në fshatin Gorre, Kurbin, për veprat penale ‘Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit’ dhe ‘Prishja e rendit dhe qetësisë publike’.
Gjithashtu, shërbimet e Policisë kanë bllokuar 4 automjetet dhe për drejtuesit e tyre janë vendosur masa administrative që variojnë nga 50.000 deri në 100.000 lekë. Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme. Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë fton qytetarët që të denoncojnë çdo rast të paligjshmërisë në Komisariatin Dixhital apo në numrin pa pagesë 112, duke u siguruar reagim të shpejtë e të paanshëm, kundrejt atyre që shkelin ligjin dhe cenojnë jetën e qytetarëve.
/Priza.al/