Kryeministri Rama komentoi sot përplasjen fizike mes kandidatit të PD-së Luçiano Boçi dhe biznesmenit Gjergj Luca. Nga Elbasani ku prezanton kandidatët për deputetë të PS-së në këtë qark, ai ka folur për përplasjen fizike të Luçiano Boçit dhe biznesmenit të njohur.
Përplasja ndërmjet biznesmenit Gjergj Luca dhe kandidatit për deputet në Elbasan me Partinë Demokratike Luçiano Boçit, ndodhi disa para një lokali në Labinot, ku Boçi po zhvillonte një takim me disa banorë të zonës.
Nga pamjet që u shpërndanë në media, shihet sesi grupi që e shoqëron ish-deputetin Boçi e mban Lucën ndërkohë që vetë kandidati i PD, e qëllon me grushte. Lidhur me këtë situatë, Rama i revoltuar deklaroi se Luçiano Boçi grushtonte si huligan një biznesmen. Ai shtoi më tej se është e papranueshme që një përfaqësues i popullit të grushtojë një sipërmarrës, punëdhënësin më të madh të Elbasanit.
“E pamë këtu në Elbasan pak ditë më parë, dhe ju ftoj të gjithëve që ta shikoni sesi grushtuesi, i një sipërmarrësi si Gjergj Luca, dhunuesi publik i tij të ishte Taulanti, Besiani, cilido qoftë çfarë do të ishte bërë, e sa lumenj llumi dhe baltë do të ishin dredhur në Evropë e sa do të kishin venë kujën.
Por ne e kemi të qartë se njerëz të dëshpëruar bëjnë gjëra të dëshpëruara. Por ato e kanë të qartë se nuk kanë mundësi që ta kenë një shans tjetër. Kanë pasur katër shanse dhe i kanë humbur të katër shanset.
Sot janë grumbulluar të gjithë bashkë, si kurrë me parë, me një koalicion paszgjedhor, kur hynë veç e veç me njëri-tjetrin. E patë atë si grushtonte si huligan një biznesmen. Është e papranueshme që një përfaqësues i popullit të grushtojë si skuth, dhe me rojet e tij një sipërmarrës, punëdhënësin më të madh të Elbasanit. Është e pamundur që qytetaria e Elbasanit të identifikohet me këtë shfaqje të dhunshme me disa shëmbylltyra që nuk janë gjëkundi në mundësinë për t’i quajtur pasardhës të një komuniteti ku ka pasur kaq shumë figura të ndritura”, tha Rama.