Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Luçiano Boçi, thotë se në garën për bashkinë e Elbasanit, partneritetin e vetëm do ta ketë me qytetarët.
Në një postim të bërë në Facebook, ku ka ndarë disa foto nga takimi me banorët e këtij qyteti, Boçi shprehet se tashmë ka ardhur koha që t’u jepet zgjidhje problemeve të mbartura.
Reagimi i plotë:
Në këtë rrugëtim partneritetin e vetëm dua ta kem me ju
Kam qenë i privilegjuar të kem qenë i mbështetur me votë për 4 mandate parlamentare nga ju. E kam ndjerë gjithnjë detyrimin për të bërë më shumë për nevojat bazike të mënyrës se si jetohet në qytet.
Nga foltorja e Parlamentit kam ngritur zërin kurdo që kam folur për ju, për ajrin tonë, për varfërinë e skajshme, për abuzimet e panumërta me taksat tona, për vrasjen e shpresës, për largimin e të rinjve, për mungesën e punësimit.
Sot ka ardhur koha që t’iu shtrëngoj dorën për ta nisur bashkë rrugëtimin që i jep zgjidhje të thjeshta problematikave të mbartura nga ata që s’e deshën dhe s’e duan Elbasanin tonë!