Kandidati i PD për Bashkinë e Elbasanit, Luçiano Boçi ka denoncuar gjendjen e mjerueshme me të cilën përballen prindërit e zonës Papër-Sollak për të çuar fëmijët e tyre në shkollë gjatë ditëve me reshje shiu. Në postimin e tij në Facebook, Boçi thekson se ‘prindërit në ditët me shi puthen e përqafohen me fëmijët e tyre që “luajnë” me jetën, për të kaluar mes për mes ujërat e rrëmbyeshëm!’ Boçi u shpreh se për ata fëmijë kjo quhet sakrificë arsimimi. Ai premtoi se këta prindër kurrë më nuk do të luten që fëmija ti kthehet mirë nga shkolla.
Prindërit në ditët me shi puthen e përqafohen me fëmijët e tyre që “luajnë” me jetën, për të kaluar mes për mes ujërat e rrëmbyeshëm! A mund të quhet kjo një sakrificë për arsimimin? Për ata fëmijë, sigurisht që po.
Por në fakt, kjo është përtej papërgjegjshmërisë politike! Kjo është papërgjegjmëri morale! Si mund të kenë guxim të dalin të takojnë njerëzit? Si s’kanë turp të premtojnë se do të bëjnë më mirë?
Zotimi është i thjeshtë! Kurrë më këta fëmijë s’kanë për të kaluar në këtë mënyrë rrjedhën e lumit. Kurrë më, prindërit s’do luten që fëmijët t’i kthehen shëndoshë e mirë në shtëpi nga shkolla!