Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Elbasanit, Luçiano Boçi prezantoi projektin e tij për parkun diellor të qytetit. Gjatë fjalës së tij ai theksoi do të përdoren çatitë e banesave për montimin e paneleve diellore.
“Ne duam që në këtë proces të trajnojmë dhe punësojmë jo më pak se 100 teknikë, të cilët do të angazhohen në montimin dhe mirëmbajtjen e këtij parku diellor. Projektin e parë të këtij tipi e ka bërë bashkia e Los Angeles në SHBA” – tha Boçi.
Ing. Gabriele Daini, Drejtor i shoqërisë E-Life Project, pjesë e grupit Italian IES shpjegoi vizionin e kompanisë së tij për dekarbonizimin sa më të plotë të Elbasanit dhe mënyrat e ndërhyrjes. Grupi IES ka marrë përsipër që nëse Boçi fiton zgjedhjet e 14 majit të nisë menjëherë studimin e bëshmërisë dhe përgatitjen e projektit ekzekutiv për të mundësuar realizimin e një projekti të energjisë së rinovueshme në Elbasan.
“Bashkia e re do të ketë mundësi që të ofrojë një energji që kushton të paktën 30% më lirë për të gjitha entet publike, ujësjellësin, biznesit e reja startup që do të vijnë në Elbasan dhe gjithashtu do të krijojë një burim të rëndësishëm të ekonomisë së gjelbër dhe një model zhvillimor unik” – nënvizoi Boçi.