Kryeministri Edi Rama po zhvillon ditën e sotme një takim me rektorët e Universiteteve Publike dhe Jopublike për të diskutuar mbi procesin e rankimit të institucioneve të arsimit të lartë.
Gjatë fjalës së tij në takim, Rama tha se jemi në një fazë të ndërmjetme pas reformës së arsimit të lartë duke shtuar se kjo reformë është shumë e rëndësishme. Më tej ai ka falenderuar rektorët për arritjet e universiteteve, ndërsa shtoi se çështjen e arsimit të lartë e ka ngritur edhe në takimin e Komunitetit Politik në Pragë.
“Jemi këtu për të diskutuar për një tematikë që ka të bëjë me rankimin e universiteteve tona dhe një vlerësim të plotë të të gjithë kritereve të ligjshmërisë, kur jemi në një fazë që do ta quaj të ndërmjetme pas reformës së Arsimit të Lartë e fillimit të zbatimit të saj dhe në funksion të thellimit të kësaj reforme në organizimin e mëtejshëm të të gjithë sistemit tonë universitar. Dua të bëj me dije që sikundër e kishim diskutuar me rektorët, në takimin e Pragës të atij që u pagëzua si komuniteti i ri politik europian, unë kam ngritur temën e Universitetit si një temë që duhet konsideruar nga BE dhe për t’u adresuar pa pritur që Shqipëria dhe vendet e Ballkanit të bëhen anëtare të BE. Ne kemi si vende kandidate që negociojmë anëtarësimin tonë një akses të pjesshëm.
Ndërkohë që universitetet e BE me aksesin e plotë në atë sistem kanë nga njëra anë mundësinë e krijimit të sinergjive të menjëhershme mes tyre dhe mundësine e financimeve ekstra. Për ne sot është e pamundur. Ne kemi çelur një proces të quajtur të ndërkombëtarizimit të universiteteve dhe dua t’i falenderoj rektorët sepse shikojmë hapa shumë inkurajues. Dua t’i falenderoj edhe për faktin që ka një shtysë domethënese në drejtim të aneksimit të fondeve europiane për atë pjesë të sistemit që ne mund të aksesojmë që sot si një vend kandidat”, tha Rama.