Nga Mimoza Manxhari
Prof. Fakulteti Ekonomik. Universiteti i Tiranës
E ardhmja e një vendi nuk mund të jetë vazhdim i historisë. Në rastin e arsimit, jo vetëm të ardhme nuk po ndërtojmë, por dhe atë histori të shkurtër e kemi braktisur! Qeveritë e mbas ndryshimeve demokratike, me qëndrimet e tyre të pamatura dhe politikat e pastudjuara kanë krijuar problematikat e shumta në gjithë sistemin arsimor dhe paga, është vetëm një prej tyre.
Identifikimi i protestës së pedagogëve si protestë për pagat e ul dhe deformon thelbin e kësaj lëvizje edhe pse-në nëse mësuesi nuk respektohet dhe ndaj nxënësit nuk ka kujdes revoltë do provokohet dhe protestë do të zhvillohet! Ta bësh arsimin, vendi që ofron mundësitë për suksesin në jetë të nxënësve është padyshim i mundur. Dhe për këtë, nuk mjafton vetëm pathos dhe përkushtimi i mësuesve dhe profesorëve. Sistemi arsimor ka një natyrë dinamike, i cili në realitin shqiptar ka shkuar në kahun e mos zhvillimit! Misioni i arsimit është të ndihmojë të gjithë ata që do ulen në bankat e shkollës, të bëhen qytetarë aktiv në jetën kolektive. Si e tillë, problematikat që duam të ndalojmë dhe përmirësojnë, nuk mund të jenë çështje individuale, sepse arsimi i përket të gjithëve.
Kam besim, që secili prej nesh që e ka përqafuar këtë lëvizje si ata pak që janë këtu, por edhe ata shumë të tjerë, që hezitojnë apo i ndalojnë të shfaqen, gjendemi këtu sepse:
- Në një mënyrë ose tjetrën e kemi ndjerë që arsimi po gerryhet dhe se misioni i tij nuk po përmbushet;
- Kemi një perqasje krejt tjetër nga ajo e atyre që e kane krijuar problemin duke e politizuar arsimin dhe shndërruar atë në biznes!!
- Jemi kundër prirjes së shndërrimit të shkollës si vendi ku merret diploma, instrumenti që siguron jetesën dhe jo si vendi ku përgatitet njeriu, në të gjitha përmasat e tij;
- Kemi konstatuar fiktivitetin i dijeve dhe falsitetin e sloganeve të rritjes se cilesisë në arsim;
Duam të ndihmohen e mos të vazhdojë pakalueshmëria e atyre që ulen në bankat e shkollës; - Duam, që edhe ata që konsiderohen kalues, të jenë realisht të përgatitur për jetën;
Jemi kundër modelit aktual të dhunimit të nxënësve me meorizime absurd përgjigjesh të gatshme dhe jo të nxiten nxënësit të zgjidhin problema; - Jemi kundër metodave fikse me të cilat po ushqehen nxënësit dhe studentët, të cilat ju zbehin fleksibilitetin e përshtatjes nesër;
- Duam që mësuesit të jenë ata që sfidojnë dhe angazhojnë të gjitha dimensionet e kapaciteteve që ka secili individ në klasë e përgatitur kështu ata për suksesin në jetë;
- Duam një sistem arsimor që ofron dhe garanton një mbështetje tërësore të nxënësit, nëpërmjet dijeve dhe njohurive që ofron, kultivimit dhe ushqyerjes së kuriozitetit, por garantimit të një mbështetje emocionale të vazhdueshme;
- E kështu refuzojmë fondet për rojet e sigurisë nëpër shkolla por ofrimin e mundësive që rrisin cilësinë e jetës në klasë e auditor.
Këto kërkesa janë mëse njerëzore, ndaj dua të besoj që qeveria ka akoma shansin- për të dëshmuar se realisht e do të mirën e qytetarëve të këtij vendi