Një bombë shpërtheu në Shën Petersburg , në një bar në qendër të qytetit, duke vrarë blogerin e njohur nacionalist rus dhe korrespondentin e luftës Vladlen Tatarsky . Kjo është konfirmuar nga Ministria e Brendshme ruse. Eksplozivi, mbi 200 gram Tnt, ishte fshehur brenda një statuje që dyshohet se ishte sjellë në klub nga një vajzë si dhuratë për blogerin. Gruaja, 26-vjeçarja Darja Trepova , është shpallur në kërkim nga Ministria e Brendshme ruse. Më parë u duk se ajo tashmë ishte arrestuar. Mbi 30 persona u plagosën.
Video nga një kamera vëzhgimi tregon gruan duke hyrë në kafenenë ku shpërtheu bomba, duke mbajtur në duar një kuti kartoni mjaft voluminoze.
Ministria e Jashtme ruse i bëri homazhe blogerit, duke sulmuar qeveritë perëndimore për mosreagimin ndaj sulmit. Njerëz si Vladlen Tatarsky “janë mbrojtës të së vërtetës”, shkroi zëdhënësja e ministrisë Maria Zakharova në Telegram, duke shtuar se mungesa e reagimit nga qeveritë perëndimore “pavarësisht shqetësimeve të tyre për mirëqenien e gazetarëve dhe shtypit të lirë flet vetë”.
Tatarsky, emri i vërtetë i të cilit ishte Maxim Fomin, ishte shumë i popullarizuar në rrjetet sociale: ai kishte më shumë se 560,000 ndjekës në Telegram. Ai ishte në mesin e qindra të pranishmëve në ceremoninë luksoze të organizuar nga Kremlini në shtator për të shpallur aneksimin nga Rusia të katër rajoneve pjesërisht të pushtuara të Ukrainës. Një faqe interneti në Shën Petersburg raportoi se shpërthimi ndodhi në një kafene që dikur i përkiste Yevgeny Prigozhin, me nofkën “kuzhinieri i Putinit”, kreu i grupit Wagner.