Puna në të zezë në Shqipëri sjell me vete edhe pasoja të rënda për punonjësit. Shumë nga këta punonjës nuk kanë një kontratë të rregullt pune, as sigurime shëndetësore dhe madje shpeshherë kompanitë nuk mbajnë përgjegjësi për aksidentet që ndodhin në këto vende. Kjo gjë, nuk ka dallim nga lloji i punës apo i kompanisë, gjithkund shfaqet një papërgjegjshmëri. I tillë është edhe rasti i sotëm, ku një 31 vjeçar ka rrëfyer një ngjarje tronditëse në ambjentin e punës. Mësohet se i riu, Genci Kallari u aksidentua pasi kishte refuzuar të bënte një punë për të cilën nuk kishte firmosur dhe u detyrua ta bënte pasi mund të pushohej nga puna. Ai tregon momentet rrënqethëse kur u përpoq të ndalte shpërthimin për të mos u shkatërruar biznesi, por mori një kosto të rëndë mbi vete.
“Më 9 prill 2019 unë jam paraqitur tek kompania Hako për të punuar. Kam qenë nga 5 korriku 2017, ku kam bërë një kontratë 3-mujore fillimisht, e më pas 1-vjeçare. Kam punuar si ndihmës, mbushës sallami. Më pas kam bërë procese të ndryshme. Kam punuar me pirun. Më 9 prill 2019 kam shkuar si zakonisht. Pasi mbarova pushimin e paraditen në 10:30 u futa në repart. Kam punuar si ngarkim shkarkim të karrocave. E kisha profilin tek paketimi, jo atë që më caktuan. Kur hyra në repart më njoftuan punëtorët të zbrisja të merrja bombolat e gazit. Unë i thash përgjegjësit që nuk e kam bërë ndonjëherë këtë punë.
Pas kësaj mora telefonin e punës, i thashë merrni në telefon përgjegjësen e punës, Erjonën, dhe i them nuk mund të transportoj bombolat e gazit. Aty më dha urdhrin ose shko transportoji, ose ik nga vendi i punës. Shkova për të transportuar bombolat, por aty është një lartës 1.5 metër ku unë do t’i ngjisja.
Aty ishte dhe një punëtor tjetër që po më ndihmonte. Ngjita bombolën e parë dhe mora të dytën. Unë po e tërhiqja, ai po më ndihmonte. Në një moment më rrëshqiti këmba se aty ishin dhe makineritë dhe u trondit dyshemeja. Bombola që lëvizi pas meje po binte dhe u hodha për të mos e lënë të binte, sepse rrezikohej kompania. U mundova që mos të plaste bombola, se peshon 50 kg e më tepër bosh. Nuk mendova asgjë as se rrezikoja jetën. Mendova vetëm se për fajin tim mund të shkatërrohej një kompani.
Kapa bombolën dhe nuk mendova që të shpëtoja kompaninë. Ka qenë një peshore inoksi që peshonim paletat, më ra bombola sipër dorës. Tek peshorja e inoksit që kanë bërë kontakt inoks, hekur. Më pas kam humbur ndjenjat. Kur jam përmendur, e kam parë dorën poshtë bombol. E tërhoqa dhe dora kërciti, më pas është hapur dora komplet dhe plasi hemorragjia. Askush nuk ka ardhur të më jepte ndihmë sepse u trembën.
Nuk po e vrisja mendjen fare a është faji im apo i kompanisë, pavarësisht se e dija që nuk ishte profili im. Dhe kur kam firmosur kontratën, iu kam thënë që të gjitha gjërat i bëj, bombolat jo”, përfundoi 31 vjeçari./Priza.al